TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet15 Janar 2026, 08:40

Obeziteti, sëmundjet kronike dhe problemet e shëndetit mendor, DASH rendit arsyet kryesore të refuzimit të vizave nga SHBA

Shkruar nga Pamfleti

Pezullimi, i cili do të nisë më 21 janar, që përfshin Shqipërinë edhe Kosovën nuk do të zbatohet për aplikantët që kërkojnë viza jo-emigruese, apo viza të përkohshme turistike ose biznesi, të cilat përbëjnë shumicën dërrmuese të aplikimeve për vizë.

Obeziteti, sëmundjet kronike dhe problemet e shëndetit mendor, DASH
Donald Trump

Sëmundjet kronike, obeziteti, problemet kardiake si edhe çrregullimet e shëndetit mendor, përfshirë depresionin dhe ankthin, renditen ndër faktorët kryesorë që çojnë në refuzimin e vizave emigruese për në Shtetet e Bashkuara, sipas udhëzimeve të Departamentit Amerikan të Shtetit.

Këto kritere synojnë të përjashtojnë aplikantët që mund të përbëjnë një barrë të konsiderueshme financiare për sistemin shëndetësor dhe atë social amerikan. Autoritetet amerikane theksojnë se çdo rast i tillë mund t’i kushtojë shtetit mijëra dollarë, ndaj qëllimi i politikës është që emigrantët e përhershëm të mos kthehen në kosto për taksapaguesit amerikanë.

Masat nuk prekin vizat turistike apo studentore, por aplikohen vetëm për vizat emigruese, përfshirë Green Card-at, bashkimet familjare dhe ndryshimin e statusit nga vizë e përkohshme në atë të përhershme.

Këto kontrolle kryhen në klinika të autorizuara brenda SHBA-së ose pranë mjekëve të miratuar nga ambasadat dhe konsullatat amerikane jashtë vendit. Edhe shtetasit e huaj që ndodhen tashmë në SHBA dhe kërkojnë ndryshim statusi duhet të plotësojnë të njëjtat kërkesa shëndetësore.

Sipas ekspertëve, pezullimi i përkohshëm i vizave emigruese për rreth 75 vende mund të bllokojë deri në 315 mijë emigrantë të ligjshëm brenda një viti. Kjo politikë është pjesë e strategjisë së administratës Trump për të kufizuar emigracionin dhe për të ulur shpenzimet publike, pavarësisht se studime të shumta tregojnë se emigrantët kanë një kontribut të rëndësishëm në ekonominë amerikane.

Pezullimi, i cili do të nisë më 21 janar, që përfshin Shqipërinë edhe Kosovën nuk do të zbatohet për aplikantët që kërkojnë viza jo-emigruese, apo viza të përkohshme turistike ose biznesi, të cilat përbëjnë shumicën dërrmuese të aplikimeve për vizë.

Kërkesa për viza jo-emigruese pritet të rritet ndjeshëm në muajt dhe vitet në vijim për shkak të Kupës së Botës 2026 dhe Lojërave Olimpike 2028, të dyja të cilat do të mbahen ose bashkë-organizohen nga Shtetet e Bashkuara.

“Administrata Trump po i jep fund abuzimit me sistemin amerikan të emigracionit nga ata që synojnë të përfitojnë pasuri në kurriz të popullit amerikan.Përpunimi i vizave emigruese nga këto 75 vende do të pezullohet, ndërsa Departamenti i Shtetit rishikon procedurat e emigracionit për të parandaluar hyrjen e shtetasve të huaj që mund të përfitojnë nga ndihmat sociale dhe përfitimet publike.”, njoftoi administrata e Trump.

Administrata e Presidentit Donald Trump ka kufizuar tashmë ndjeshëm përpunimin e vizave emigruese dhe jo-emigruese për qytetarët e dhjetëra vendeve, kryesisht në Afrikë, Azi dhe Amerikën Latine.

Udhëzimi i muajit nëntor, mbi të cilin bazohet vendimi i shpallur të mërkurën, u kërkonte zyrtarëve të ambasadave dhe konsullatave amerikane të verifikonin në mënyrë gjithëpërfshirëse dhe të detajuar aplikantët për vizë, për të garantuar se ata nuk do të kenë nevojë të mbështeten në përfitime publike të qeverisë në asnjë moment pas hyrjes së tyre në SHBA.

Edhe pse ligji federal prej kohësh kërkon që personat që synojnë rezidencë të përhershme ose status ligjor të provojnë se nuk do të bëhen barrë publike, Trump gjatë mandatit të tij të parë zgjeroi gamën e programeve të ndihmës që mund të skualifikojnë aplikantët. Udhëzimet e reja duket se e çojnë edhe më tej këtë qasje.

Emigrantët që kërkojnë të hyjnë në Shtetet e Bashkuara tashmë i nënshtrohen një ekzaminimi mjekësor nga një mjek i miratuar nga Ambasada Amerikane. Ata kontrollohen për sëmundje ngjitëse, si tuberkulozi, dhe u kërkohet të deklarojnë çdo histori të përdorimit të drogës ose alkoolit, probleme të shëndetit mendor apo episode dhune. Po ashtu, ata janë të detyruar të kenë kryer një sërë vaksinash.

 

arsyet kryesore të refuzimit të vizave shba-shqipëri

Lini një Përgjigje