Ju ftojmë të ndiqni Edicionin Informativ me zhvillimet kryesore nga vendi, rajoni e bota deri në këtë orë, ku ndër të tjera veçojmë:
Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK, ka përfunduar parashtrimet në gjyqin paraprak ndaj ish-Presidentit Ilir Meta dhe katër të tjerëve, duke kërkuar kalimin e çështjes në gjykim themeli.
Seanca u shoqërua me debate mes Metës, Kryemadhit dhe prokurorëve, ndërsa Monika Kryemadhi ironizoi provat e prezantuara, duke përmendur mbi 40 faqe me intervista dhe shkrime mediatike që sipas saj nuk duhej të konsideroheshin prova.
Në politikë, OSBE apelon për zgjidhjen e problematikave dhe thekson rëndësinë e Reformës Zgjedhore për përmirësimin e procesit demokratik në Shqipëri.
Ndërkohë, kryeministri Rama vizitoi Vatikanin me bashkëshorten dhe Zahon, ku takoi Papa Leon XIV dhe vizitoi Bazilikën e Zojës së Këshillit të Mirë. Opozita, nën drejtimin e Berishës, vijon presionin për rrëzimin e Ramës, duke denoncuar skandalet me pallatin e Linda Ramës dhe kompaninë 2T të Sakos.
Qeveria u kritikua nga SHBA për skandalet që po minojnë sigurinë dhe imazhin e vendit, ndërsa Emirjana Sako u akuzua për tre vepra penale në lidhje me përmbytjet në Durrës.
SPAK zbarkoi edhe në Gjirokastër, ku kryebashkiaku Flamur Golemi u mor në pyetje për tre orë lidhur me një aferë 620 mijë euro për rikonstruksionin e një shkolle.
Apeli i GJKKO-së konfirmoi masat e sigurisë për dosjen AKSHI, duke lënë Mirlinda Karçanaj dhe Hava Delibashin në arrest shtëpie.
Në skenën ndërkombëtare, Rama udhëtoi drejt Izraelit me charter privat, ndërsa Shqipëria u përball me sulme kibernetike nga Irani. Një hetim penal në Pogradec zbardhi përdorimin e një detektive private për të kontrolluar një përgjues në banesën e Erjon Llapushit.
Ekspertët paralajmërojnë rreziqe shëndetësore nga arseniku në bukë, ndërsa bilanci tregtar tregon rritje të importit të bulmetit me 62% për periudhën 2021-2025.
Qeveria rikthen aksesin në TikTok pas një viti mbylljeje, me mekanizma të rinj sigurie.
Në rajon, Kosova hapet për investime serioze, sipas Kurtit, ndërsa Europa sheh zhvillime strategjike ushtarake me projektin Gcap, ku Italia, Britania dhe Japonia krijojnë avionin e gjeneratës së gjashtë, me interes të mundshëm të Gjermanisë.
Ndërsa Merz paralajmëron për përshkallëzim mes SHBA dhe Iranit, J.D. Vance akuzon Evropën për veprime dyfytyrëshe ndaj SHBA-së. Sekretari i Kombeve të Bashkuara, Guterres, paralajmëron se shkelja e së drejtës ndërkombëtare po rrit rrezikun për kaos global.
Bill Gates përmendet në dosjen “Epstein” lidhur me projektimin e pandemisë 2015‑2017.
Në Amerikë, arrestohet një biznesmen kolumbiano-venezuelian për 350 milionë dollarë korrupsion, ndërsa Vance dhe Rubio mbërrijnë në Itali me 300 roje sigurie dhe 11 avionë për Olimpiadën Dimërore 2026.
Lini një Përgjigje