TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet16 Dhjetor 2025, 11:46

UPDATE/ Edicioni Informativ i orës 12:00, zhvillimet kryesore në pak minuta

Shkruar nga Pamfleti

Përmbledhje e edicionit informativ të orës 12:00 në Pamfleti

UPDATE/ Edicioni Informativ i orës 12:00, zhvillimet kryesore në pak

SPAK dhe Byroja Kombëtare e Hetimit zhvilluan një aksion kontrolli në zonën e Kodrës së Diellit. Autoritetet nuk publikuan informacion zyrtar mbi objektin e veprimeve, ndërsa burime pranë hetimit e lidhin kontrollin me një procedim që përfshin tenderë të AKSHI-it. Ky zhvillim vjen pas deklaratave publike të kryeministrit Edi Rama për kontrollet e BKH-së në Kryeministri dhe përplasjet me Gardën, deklarata që SPAK i kundërshtoi.

Në Partinë Demokratike, Ervin Salianji vijoi turin e takimeve me strukturat, duke u ndalur këtë herë në Elbasan, pas Durrësit. Takimet e tij shkaktuan përplasje të hapura me Sali Berishën dhe Flamur Nokën në Kryesinë e PD-së. Salianji deklaroi se synon rigjallërimin e strukturave dhe rrëzimin e Edi Ramës, ndërsa drejtuesit e PD-së e cilësuan këtë tur si axhendë personale.

Adriatik Lapaj njoftoi një protestë masive më 20 dhjetor, në orën 12:00, në Bulevardin Dëshmorët e Kombit. Kreu i Partisë Shqipëria Bëhet vijon protestën para Kryeministrisë që prej 8 dhjetorit dhe kërkon dorëheqjen e kryeministrit, duke ftuar qytetarët të bashkohen nën sloganin “Edi Rama jep dorëheqjen”.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë takimit në Vatikan me Papa Leonin XVI, kërkoi njohjen formale të Kosovës nga Selia e Shenjtë. Ajo zhvilloi edhe takime me zyrtarë të tjerë të lartë dhe ftoi Papën për një vizitë në Kosovë. Kosova hapi Misionin e Posaçëm në Vatikan në janar 2024 dhe në maj 2025 Selia e Shenjtë emëroi Luigji Biankon si delegat apostolik për Kosovën.

Në Greqi, fermerët vijuan protestat duke bllokuar për tre orë aksin Kakavijë Janinë. Policia Kufitare njoftoi se qarkullimi u lejua vetëm për emergjencat shëndetësore gjatë orarit të bllokimit.

Në arenën ndërkombëtare, udhëheqësit evropianë rritën paralajmërimet për një përballje të mundshme me Rusinë. Autoritetet e sigurisë dhe ushtritë e vendeve evropiane po komunikojnë publikisht nevojën për përgatitje për konflikt, ndërsa lufta në Ukrainë vazhdon dhe përpjekjet diplomatike për paqe mbeten të pasigurta.

Unioni Evropian i Transmetimeve konfirmoi zyrtarisht 35 vende pjesëmarrëse në Eurovision 2026, që do të mbahet në Vjenë. Franca, Gjermania, Italia, Mbretëria e Bashkuar dhe Austria kalojnë direkt në Finalen e Madhe më 16 maj 2026, ndërsa gjysmëfinalet zhvillohen më 12 dhe 14 maj.

Në sport, Bekim Balaj fitoi “Topin e Artë 2025”, duke u shpallur futbollisti më i mirë i vitit në Shqipëri. Sulmuesi i Vllaznisë mori trofeun e dytë në karrierë gjatë ceremonisë në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit, ku presidenti i FSHF-së Armand Duka i dorëzoi çmimin.

 

edicioni informativ pamfleti

Lini një Përgjigje