
Ju ftojmë të ndiqni Edicionin Informativ me zhvillimet kryesore nga vendi, rajoni e bota deri në këtë orë, ku ndër të tjera veçojmë:
Brukseli dërgon një mesazh të prerë për Shqipërinë: “Mos e prekni SPAK-un! Lufta kundër korrupsionit dhe krimit duhet të fuqizohet.” Ky është paralajmërimi që zyrtarët evropianë i kanë bërë drejtuesve politikë në vend, duke përfshirë kryeministrin Edi Rama dhe ish-kryeministrin Sali Berisha.
Ndërkohë, Rama takon fermerët në Divjakë, duke u bërë thirrje të gjejnë vetë financime për projektet e tyre, edhe pas vjedhjes së fondeve: “Nuk është vetëm shteti, gjeni vet financime!”, shprehet kryeministri.
Pas protestës kombëtare, Berisha po përpiqet të mbledhë aleatët e tij për të unifikuar qëndrimet dhe po diskutohet një strategji e re e opozitës pas ngjarjeve të fundit.
Në sistemin e drejtësisë, KLGJ ka futur në rend dite çështjen e Irena Gjokës, pas dorëzimit të dokumenteve nga Prokuroria; dënimi i saj në Greqi konsiderohet i saktë. Ndërkohë, në GJKKO, pas tetë orësh debate e përplasje, SPAK gozhdon ish-presidentin Ilir Meta me fakte dhe prova për aferat e tij, duke pritur kalimin për gjykim.
Ngjarje të rënda edhe jashtë vendit: në burgun grek, Dhimitër Meçi është qëlluar me thikë, duke u bërë viktima e një tentative eliminimi nga ‘bosi’ i mafies. Një aksident tragjik në Itali merr jetën e dy të rinjve shqiptarë, pas përplasjes së një “Jeep” me një mjet të rëndë, duke plagosur tre të tjerë.
Serbia sekuestron 5 tonë marihuanë, me vlerë rreth 10 milionë euro, në një operacion të madh anti-drogë; ministri Ivica Daçiç e cilëson si sekuestrimin më të madh të drogës në vend deri më tani.
Në skenën ndërkombëtare, Rusia përmes Lavrovit kritikon Perëndimin për “standarde të dyfishta”, duke krahasuar njohjen e Kosovës me situatën në Donbas dhe Krimenë. Në Turqi, një shpërthim në rafinerinë më të madhe të naftës ka detyruar evakuimin e punonjësve, ndërsa vijojnë hetimet për shkakun.
Në politikën ndërkombëtare ekonomike, Trump paralajmëron Mbretërinë e Bashkuar për marrëveshjet me Kinën, duke i cilësuar shumë të rrezikshme. Ndërsa në Oman, një anije me 25 turistë francezë është përmbytur pranë Portit Sultan Qaboos, duke shkaktuar tre viktima dhe dy të plagosur.
Në sport, përmbyllen ndeshjet e Ligës së Europës: Lioni, Roma dhe Aston Vila sigurojnë vendet mes 8 më të mirëve, ndërsa Bolonja përgatitet për “play off”.
Lini një Përgjigje