Vijojnë kërkimet për të gjetur trupin e pajetë të kapitenit Arben Anamali, i cili u mbyt dje në liqenin e Shkodrës pasi shpëtoi dy turistë të huaj.
Kapiteni i anijes turistike të bashkisë së Shkodrës, Arben Anamali, vijon të jetë i zhdukur, pasi u mbyt pasditen e së martës në liqenin e Shkodrës, menjëherë pasi kishte shpëtuar dy turistë të huaj nga rreziku i mbytjes.
Pavarësisht përpjekjeve të palodhura, trupi i tij ende nuk është gjetur.

Forcat polumbare të FNSH-së, në bashkëpunim me punonjës të bashkisë dhe struktura të tjera lokale, kanë vijuar edhe sot kërkimet intensive në zonën ku ndodhi tragjedia.
Kryebashkiaku i Shkodrës, Benet Beci, teksa njofton se operacioni vazhdon, thotë se akti heroik i kapitenit u kthye në tragjedi.
“Ky mëngjes është i trishtë për Shkodrën. Që prej mesditës së djeshme, forcat polumbare të FNSH-së, në bashkëpunim me punonjës të Bashkisë Shkodër, po vijojnë kërkimet për gjetjen e trupit të kapitenit të anijes turistike në liqenin e Shkodrës, Arben Anamali. Strukturat do të jenë të angazhuara edhe gjatë ditës së sotme për të bërë të mundur gjetjen e trupit të Arbenit, kapitenit që sakrifikoi jetën e tij për të shpëtuar turistët që po rrezikonin jetën. Fatkeqësisht, ky akt heroik u kthye në një tragjedi për të, për familjen dhe për të gjithë ata që e njohën. Jam pranë familjes Anamali në këto momente të vështira.”, shkruan Beci.
Lini një Përgjigje