
Një akt humanizmi, por fatkeqësisht me një fund të hidhur...
Qyteti i Shkodrës, por jo vetëm, ka humbur sot një hero, hero i cili nuk do të harrohet lehtë.
Arben Anamali, sakrifikoi sot jetën në krye të detyrës, duke shërbyer deri në fund për vizitorët dhe turistët në Shkodër.
Ai ishte kapiteni i një prej anijeve që Bashkia e Shkodrës ka vënë në dispozicion të turistëve për të shëtitur në liqen.
Janë me qindra e qindra turistë që kanë hipur në anijen e tij, por sot ndodhi një ngjarje që Anamalit i kushtoi jetën.

Dy prej turistëve që shëtisnin me anijen e Arbenit ranë në ujë dhe kapiteni i saj nuk ka ngurruar të hidhet dhe t’i shpëtojë. Turistët kanë pasur vështirësi në notim dhe Arbeni bëri atë që jo çdokush do e bënte, sakrifikoi jetën për ta. Ai arriti t’i shpëtojë nga mbytja dy turistët, por vetë nuk ja doli. Ai mbeti në liqen dhe kërkimet vijojnë ende për gjetjen e trupit.
Fillimisht ishte policia që reagoi mbi ngjarjen: “Rreth orës 16:32, është marrë njoftim nga Salla Operative se në liqenin e Shkodrës, kapiteni i anijes për qëllime turistike e Bashkisë Shkodër, shtetasi A. A., 51 vjeç, dyshohet se gjatë përpjekjes për të shpëtuar dy turistë që kishin rënë në ujë, është mbytur.
Turistët janë shpëtuar dhe ndodhen në gjendje të mirë shëndetësore. Në vendngjarje kanë shkuar menjëherë shërbimet e Policisë, dhe vijojnë kërkimet për gjetjen e trupit të 51-vjeçarit”.
Më pas pati dhe një reagim nga Bashkia e Shkodrës, e cila i shprehu ngushëllime familjes së tij. “Sot, Bashkia Shkodër humbi një nga njerëzit e saj më të përkushtuar, kapitenin e anijes turistike, Arben Anamali, i cili humbi jetën gjatë një akti heroik për të shpëtuar dy turistë që po rrezikoheshin të mbyteshin në liqenin e Shkodrës. Një akt humanizmi, por fatkeqësisht me një fund të hidhur. Arbeni ishte gjithmonë në shërbim të vizitorëve dhe turistëve, duke dhënë kontributin e tij me pasion dhe përkushtim deri në momentin e fundit të jetës. Bashkia Shkodër shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjen Anamali në këtë moment të vështirë”, tha ajo.
Po ashtu ka reaguar edhe Presidenti Bajram Begaj: “Nderim përjetë Arben Anamalit, kapitenit 51- vjeçar nga Shkodra për aktin heroik të shpëtimit të dy turistëve nga mbytja duke dëshmuar një model shoqëror dhe shpirt heroik. Jam pranë familjarëve të tij në këto momente të vështira dhimbjeje”.
Padyshim, Arbeni do të mbetet një hero, hero që duhet të kujtohet gjithmonë nga Bashkia e Shkodrës dhe banorët e këtij qyteti.
Lini një Përgjigje