
Prokuroria e Fierit ka dërguar në gjyq për pastrim parash dy persona me lidhje familjare mes tyre që u kapën me drogë dhe rreth 44 mijë euro cash në banesë vitin e kaluar.
Lajmi konfirmohet nga institucioni i akuzës, që sqaroi se në kuadër të hetimit pasuror të nisur ndaj të dyshuarve, janë evidentuar nga verifikimet financiare dhe kontabilitetit edhe pasuri të tjera, që nuk justifikohen, si mbi 8,8 mln lekë dhe 6 makina.
Prokuroria bën me dije se përfundoi hetimet dhe dërgoi në gjyq shtetasit Arshi dhe Eltjon Hoxha, për veprën penale “pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, e parashikuar kjo në Nenin 287 të Kodit Penal.
Procedimi penal ndaj tyre, me numrin 776 të vitit 2023, nisi menjëherë pas operacionit policor dhe provave të gjetura në kontrolle fizike, për vepra penale në fushën e narkotikëve. Gjatë aksonit u sekuestruan 40800 Euro dhe 3000 USD, si dhe disa kilogramë drogë e bimë narkotike të kultivuara.
“Të pandehurit, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë fshehur ose kryer mbulimin e natyrës së vërtetë dhe burimit të pronësisë ose të drejtave në lidhje me pasurinë, duke ditur që kjo pasuri është produkt i veprës penale ose i veprimtarisë kriminale”, sqarohet në njoftim.
Dhe sipas procedurave të kryera në vijim prej një viti, kryesisht ekonomik dhe juridik ndaj tyre dhe personave të tjerë të lidhur me ta (familjarë), janë zbuluar pasuri të tjera të pajustifikuara.
Dhe “pas kryerjes së verifikimeve dhe ekspertimit kontabël të tyre, ka rezultuar se ato nuk kanë burime të ligjshme për krijimin e pasurisë në zotërim apo posedim të tyre”.
Prokuroria konfirmon gjithashtu se “pasuria gjendje e tyre dhe e familjareve rezulton të jetë 6 automjete dhe shuma e parave cash në vlerën totale prej 8.778.866 lekësh, të cilat nuk justifikohen nga burime të ligjshme të ardhurash”.
Lini një Përgjigje