TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet 5 Mars 2023, 08:51

Tragjedia në Greqi ku humbën jetën edhe 4 shqiptarë, sot ditë zie në vend; flamuri ulet në gjysmë shtizë

Shkruar nga Pamfleti
Tragjedia në Greqi ku humbën jetën edhe 4 shqiptarë, sot
Pamje nga vendngjarja

Ditën e sotme Shqipëria është në zi kombëtare, ku flamuri kombëtar do të ulet në gjysmë shtizë në nderim të viktimave të aksidentit tragjik në Greqi, mes të cilëve edhe 4 shqiptarë.

Kryeministri Edi Rama, përmes një statusi në “Facebook” nënvizoi se tragjedia e Greqisë, ku dy trena u përplasën mes tyre, është dhe tragjedi e vendit tonë.

Ministria e Jashtme ka identifikuar 4 viktima me origjinë shqiptare në radhët e aksidentit tragjik hekurudhor në Greqi që ndodhi të martën.

Bëhet fjalë për Ifigjenia Mickën, Pavlin Bozon, Joanis Xhollas dhe Klaudia Latën.  

Përplasja tragjike e dy trenave kokë më kokë, trenit të mallrave dhe trenit të pasagjerëve në afërsi të Larisës, që u mori jetën deri tani të paktën 57 personave, prej të cilëve disa të karbonizuar dhe të copëtuar, ndërsa shumë të tjerë mbetën të plagosur, ndodhi në orët e mbrëmjes së 28 shkurtit.

Treni Intercity 62 i linjës Athinë-Selanik po kalonte pranë stacionit të Larisës pak para orës 23:00 të së martës (28 shkurt) , me 341 pasagjerë dhe një ekuipazh prej 13 anëtarësh. 

Pak minuta më vonë, ndodhi tragjedia. Pavarësisht se linja hekurudhore Athinë-Selanik është e dyfishtë, treni i pasagjerëve u përplas kokë më kokë me një tren mallrash që udhëtonte në drejtim të kundërt, duke bërë që tre vagonët e parë të dilnin nga shinat dhe të përfshiheshin nga flakët. 

Ndërkohë mediat fqinje shkruajnë se stacionisti 59-vjeçar i Larisës, i cili është një nga figurat qendrore të tragjedisë në Tempi, kur treni i pasagjerëve u përplas me trenin e mallrave, është në gjendje e keqe psikologjike.

Sipas informacioneve të ERT, drejtuesi i stacionit dyshohet se ka bërtitur pas arrestimit:  “Kam 35 arkivole në shpinë...”. 59-vjeçari nuk i ka kërkuar falje hetuesisë të shtunën, por ka kërkuar një afat të ri ditën e sotme , për të përgatitur faljen e tij, bazuar në të dhënat e reja që kanë dalë në hetim.

Sipas avokatit të drejtorit të stacionit, Stefanos Pantzartzidis: "Këto janë fakte vendimtare dhe ne duhej të kërkonim një afat të ri, që t'i studiojmë dhe t'i vlerësojmë".

“Në hetim kishte elementë të rinj, për të cilët ne nuk ishim të informuar, të cilat na detyronin për shkak të seriozitetit shumë të madh të kërkonim një afat të ri. Hetimi do të nisë nesër. Janë elemente që janë vendimtare, këto elemente është dashur të përdoren dhe për shkak të tyre është dashur të caktohet një afat”, tha avokati i tij.

tragjedia në greqi sot ditë zie në vend

Lini një Përgjigje