
Katër shqiptarë kanë humbur jetën nga aksidenti tragjik në Greqi. Dy trena u përplasën me njëri-tjetrin dhe për pasojë ndërruan jetën 57 persona.
Por sot është konfirmuar zyrtarisht se mes tyre janë 4 shqiptarë. Ministria e Jashtme, përmes një njoftimi për mediat ka publikuar dhe emrat e viktimave, të konfirmuar nga autoritetet greke. Ndërkohë një tjetër është shpallur e zhdukur.
“Pas komunikimit me autoritetet greke, MEPJ bën me dije se në radhët e viktimave të aksidentit tragjik hekurudhor në Larisa konfirmohen deri më tani katër shtetas shqiptarë dhe me origjinë shqiptare: Ifigjenia Micka; Pavlin Bozo; Joanis Xhollas; Klaudia Lato.
Pritet përgjigja e ADN për një tjetër shtetas shqiptar të deklaruar “i zhdukur” nga familja dhe policia greke. MEPJ i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjeve të viktimave dhe uron shërim të shpejtë të gjithë të plagosurve”, njofton MEPJ.
Të paktën 57 persona kanë vdekur dhe dhjetëra të tjerë janë plagosur pas përplasjes së dy trenave të martën. Në njërin prej trenave ishin mbi 350 pasagjerë.
Kjo fatkeqësi në Greqi ka nxitur zemërim dhe protesta në mbarë vendin, por po ashtu ka nxitur debatin lidhur me standardet e sigurisë në transportin hekurudhor. Drejtori i stacionit të trenave në qytetin Larisa është arrestuar lidhur me këtë aksident. Për përplasjen e trenave, Qeveria ia ka lënë fajit gabimit njerëzor, që sipas punëtorëve të hekurudhave ishte i pashmangshëm për shkak të mungesës së sistemeve të sigurisë dhe numrit të vogël të punëtorëve.
Treni i pasagjerëve që u përplas me një tren tjetër, po udhëtonte nga Athnia për në Selanik dhe në bordin e tij kishte studentë që po ktheheshin në shtëpi.
Lini një Përgjigje