Protestuesit vijojnë lëvizjen në kryeqytet pa u ndalur, ndërsa thirrjet kundër klasës politike janë bërë gjithnjë e më të forta.
Protesta kundër qeverisë ka hyrë në ditën e saj të 16-të, ndërsa marshimi i qytetarëve në rrugët e Tiranës vijon pa ndërprerje. Ndryshe nga tubimet tradicionale statike, protestuesit kanë zgjedhur edhe këtë mbrëmje të lëvizin në disa prej zonave më të frekuentuara të kryeqytetit, duke e shtrirë mesazhin e tyre në çdo cep të qytetit.
Marshimi nisi nga zona pranë Presidencës, për të vijuar më pas drejt ish-Bllokut, ku protestuesit u ndalën për disa minuta mes brohoritjeve dhe thirrjeve kundër qeverisë. Më pas turma iu rikthye qendrës së Tiranës, ndërsa në orët e mbrëmjes u drejtua drejt zonës së 9-katësheve, ku vijon ende lëvizja e protestuesve.
Gjatë gjithë itinerarit nuk kanë munguar sloganet që tashmë janë kthyer në simbol të protestës. “Vdekje tradhtarëve, Shqipëria e shqiptarëve”, “Rama në burg, Berisha në burg” dhe “Ju erdhi fundi, dorëhiquni” kanë qenë disa nga thirrjet më të forta të dëgjuara përgjatë marshimit.
Pavarësisht lodhjes së akumuluar pas më shumë se dy javësh protesta të pandërprera, pjesëmarrësit duket se nuk kanë ndërmend të tërhiqen. Turma ka vijuar të ecë në grup, duke bllokuar përkohësisht disa segmente rrugore dhe duke tërhequr vëmendjen e qytetarëve që ndiqnin marshimin nga trotuaret dhe lokalet përgjatë itinerarit.
Dita e 16-të konfirmoi se protesta nuk po mbetet më vetëm një tubim para institucioneve, por po shndërrohet gjithnjë e më shumë në një marshim të vazhdueshëm nëpër qytet. Ndërsa mbrëmja vazhdon, protestuesit nuk japin sinjale tërheqjeje, duke e mbajtur të gjallë presionin ndaj qeverisë dhe klasës politike në tërësi.
Lini një Përgjigje