
Në një kohë kur Italia po përpiqet të balancojë buxhetin e saj, duke shkurtuar fondet për arsimin, shëndetin dhe sigurimet shoqërore, partitë opozitare e kanë quajtur marrëveshjen midis Romës dhe Tiranës një “fatkeqësi financiare”...
Kur Italia hapi qendrat e emigrantëve në Shqipëri në tetor, plani ishte i qartë: 3,000 njerëz në muaj do të strehoheshin në një kamp në veri të Shqipërisë.
Dy muaj më vonë, gazetarët shqiptarë, të infiltruar si turistë, filmuan disa nga oficerët italianë që qëndronin në një hotel me 5 yje, me pishinë dhe xhakuzi.
“Kemi ardhur këtu për punë, jemi grupi i sigurimit i qendrës së emigrantëve […] por nuk ka emigrantë në ambiente, ata janë transferuar në Itali”, u thanë oficerët, gazetarëve të “Piranjave”. “Jemi vetëm ne këtu. Ne paguhemi për të qëndruar si turistë: mëngjes, darkë dhe sauna, të gjitha falas – paguan qeveria italiane”.
Kampet në Shëngjin janë bosh: ajo që ishte paraqitur nga Komisioni Evropian si një model i ri për mbajtjen e emigrantëve jashtë BE-së, u rrëzua nga gjyqtarët italianë. Ata e cilësuan të paligjshëm dërgimin e refugjatëve në Shqipëri. Vetëm 24 azilkërkues janë dërguar në Shqipëri, por asnjë nuk ka mbetur atje. Pesë kaluan më pak se 12 orë në një qendër paraburgimi, ndërsa pjesa tjetër qëndroi për pak më shumë se 48 orë.
Në një kohë kur Italia po përpiqet të balancojë buxhetin e saj, duke shkurtuar fondet për arsimin, shëndetin dhe sigurimet shoqërore, partitë opozitare e kanë quajtur marrëveshjen midis Romës dhe Tiranës, e cila do të kushtojë rreth 1 miliardë euro për pesë vjet, një “fatkeqësi financiare”.
Oficerët e policisë italiane të regjistruara fshehurazi nga televizioni shqiptar, janë mes disa dhjetëra personave që kanë mbetur në Shqipëri. Në nëntor rreth 50 policë, së bashku me dhjetëra punonjës socialë, u kthyen në shtëpi.

Në fund të nëntorit, e përditshmja kombëtare “Domani” zbuloi se një tjetër qendër paraburgimi shqiptare, në Gjadër, e destinuar për të strehuar azilkërkuesit, ishte pushtuar nga qen endacakë, të adoptuar nga 15 oficerët e burgut të vendosur atje. Oficerët e burgut u kanë siguruar qenve ushqim, ujë, kujdes të përditshëm mjekësor dhe mbi të gjitha, një mjedis të sigurt dhe të dashur.
Sikleti i qeverisë italiane lidhur me skemën, e cilësuar nga partitë opozitare si një "dështim i plotë", ka provokuar një përplasje midis autoriteteve dhe gjyqtarëve, të cilët janë akuzuar nga partitë e ekstremit të djathtë për pengim të projektit, pasi mbështetën një vendim të 4 tetorit nga Gjykata Evropiane e Drejtësisë, se një vend jashtë bllokut nuk mund të shpallet i sigurt nëse i gjithë territori i tij nuk konsiderohet i sigurt.
Muaj përpara se të nënshkruhej marrëveshja mes kryeministres së Italisë, Giorgia Meloni dhe homologut të saj shqiptar, Edi Rama, OJQ të shumta, akademikë dhe ekspertë kishin ngritur dyshime nëse ajo mund të konsiderohet njerëzore apo edhe e ligjshme sipas ligjit ndërkombëtar. Disa shtete evropiane kanë propozuar zgjidhje të ngjashme me marrëveshjen e Italisë me Shqipërinë.
“Qendrat për emigrantët në Shqipëri do të funksionojnë, edhe nëse më duhet të kaloj çdo natë atje nga tani deri në fund të mandatit të qeverisë italiane”, këmbënguli Meloni.

Besueshmëria e kryeministres është në rrezik, pasi qeveria e saj e ka bërë emigracionin një çështje qendrore të fushatës dhe ka kritikuar paraardhësit për shpenzimin e parave publike për menaxhimin e krizës së migracionit. (Transporti në rrugë detare me një anije ushtarake italiane për tetë burra që mbërritën në Shqipëri kushtoi 250,000 € – më shumë se 31,000 € për person.)
“Pse duhet t'i hedhim kështu paratë e italianëve? Pse të lëmë forcat e rendit me pushime në Shqipëri kur kemi nevojë për personel në qytetet tona?”, tha Matteo Renzi, kreu i partisë opozitare Italia Viva, duke propozuar që të burgosurit shqiptarë në Itali të zhvendosen në objektet në Shqipëri.
“Marrëveshja e migracionit në Shqipëri është një nga farsat më të mëdha në historinë tonë. Ka kushtuar një miliard euro dhe po shërben si strehë për qentë”, tha ai. /Përshtati “Pamfleti” nga “The Guardian”
Lini një Përgjigje