Muaji Tetor, i quajtur ndryshe edhe 'Tetori rozë' është muaji që i kushtohet kontrolleve për parandalimin e kancerit të gjirit dhjetra qytetarë protestuan sot para Ministrisë së Shëndetësisë për mungesën e ilaçeve tek Onkologjiku.
Me tollumbaca të zinj dhe pankarta si: ‘Nuk duam foto dhe fjalime, duam trajtimet që na mbajnë gjallë’, ‘Kanceri nuk pret, pse presim ilaçet’, qytetarët u shprehën se pacientët veçanërisht gratë dhe vajzat nuk marrin trajtimin e duhur, jo vetëm për shkak të mungesës së ilaçeve, por edhe për shkak të mosfunksionimit të disa pajisjeve.
Ndërkohë, mësohet se pajisja e mamografisë kishte pësuar një defekt dhe ende nuk është dhënë një afat për riparimin e saj. Prej muajsh jashtë funksionit gjithashtu është edhe aparatura e Brakiterapisë që përdoret për trajtimin e kancerit gjinekologjik.
Ndërkohë raporti i fundit i Kontrollit të Lartë të Shtetit në fillim të këtij muaji nxori në pah një situatë alarmante në trajtimin e pacientëve me tumor në Shqipëri, ku thuajse gjysma e barnave të autorizuara për këtë sëmundje nuk ishin importuar asnjëherë, ndërsa disa prej tyre rezultonin të skaduara, por ende figuronin në sistem.
Në mbarë botën, kanceri është një nga tre shkaqet më të shpeshta të vdekjes së parakohshme tek gratë nën moshën 70 vjeç ndaj qëllimi i kryerjes së analizave është parandalimi i hershëm i sëmundjes dhe për rritja e mundësive për një shërim të plotë të gruas.
Lini një Përgjigje