TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet18 Korrik 2026, 09:50

Temperaturat 40 gradë, fshati Morin në Kukës mbetet pa ujë; banorët riparojnë vetë ujësjellësin

Shkruar nga Pamfleti

Temperaturat 40 gradë, fshati Morin në Kukës mbetet pa ujë;

Temperaturat e larta të ditëve të fundit kanë vështirësuar edhe më shumë jetën e banorëve të fshatit Morin, të cilët prej ditësh po përballen me mungesën e ujit të pijshëm.

Për të rikthyer furnizimin me ujë, banorët kanë marrë me qira një eskavator të vogël dhe kanë dalë vetë në terren për të riparuar tubacionin e dëmtuar, duke përballuar me forcat e tyre punën dhe kostot e ndërhyrjes.

Sipas tyre, dëmtimi i tubacionit ka ndodhur gjatë punimeve për vendosjen e shtyllave të rrjetit elektrik. Ata shprehen se, për shkak të mungesës së reagimit nga institucionet përgjegjëse, nuk kishin zgjidhje tjetër veçse ta zgjidhnin vetë situatën.

Banorët tregojnë se ujësjellësi i fshatit është ndërtuar vite më parë falë kontributit financiar të familjeve të Morinit. Edhe këtë herë, shpenzimet për riparimin e rrjetit po mbulohen prej tyre, me ndihmën ekonomike të fëmijëve që jetojnë dhe punojnë në emigracion.

Sipas banorëve, investimi i fundit institucional për sistemin e furnizimit me ujë është kryer në vitin 2008, por ata pretendojnë se furnizimi funksionoi vetëm për pak ditë. Për këtë arsye, thonë se janë detyruar të paguajnë dy herë për të siguruar ujë të pijshëm në banesat e tyre, fillimisht për ndërtimin e ujësjellësit dhe tani për riparimin e tij.

Ndërsa puna vijon mes temperaturave përvëluese, banorët presin ende një reagim nga institucionet përgjegjëse dhe kërkojnë një zgjidhje të qëndrueshme për furnizimin me ujë të pijshëm.

Lini një Përgjigje