
Ekipi i avokatëve të Kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka zhvilluar sot një vizitë në ambientet e paraburgimit në Durrës, një ditë përpara seancës së apelit për shqyrtimin e kërkesës së tij për lirim me kusht.
Në këtë takim, atyre iu bashkua edhe Joshua Roberts, përfaqësues i studios ligjore amerikane Kasoëitz Benson Torres LLP, e cila po këshillon Veliajn.
Në një deklaratë për mediat pas vizitës, Roberts bëri të ditur se ndodhet në Shqipëri si vëzhgues dhe theksoi rëndësinë e respektimit të standardeve ligjore ndërkombëtare.
“Në Shtetet e Bashkuara, sipas Kushtetutës dhe legjislacionit amerikan, akuzat penale ngrihen vetëm kur ekziston një shkak i arsyeshëm që një vepër penale është kryer.
Gjithashtu, ndalimi i qytetarëve para gjykimit ndodh vetëm nëse ata paraqesin rrezik arratisjeje ose rrezik për shoqërinë,” deklaroi Roberts.
Ai shtoi se “mbajtja e një politikani në paraburgim pa akuza të qarta dhe pa një rrezik të justifikuar është në kundërshtim me parimet e shtetit ligjor dhe demokracisë”. “Nesër do të ndjek nga afër argumentet e apelit për çështjen e Kryetarit Veliaj,” tha ai.
Në Apelin e GJKKO-së do të shqyrtohet nesër ankimimi që Kryebashkiaku i Tiranës i ka bërë vendimit të shkallës së parë që caktoi masën e sigurisë ‘arrest me burg’ për Erion Veliajn. Ky i fundit po hetohet për korrupsion dhe pastrim parash.
Veliaj u arrestua me urdhër të SPAK në 10 shkurt, ndërsa prokurorë të çështjes janë Ols Dado dhe Altin Dumani. Masa e sigurisë për Veliajn u caktua nga GJKKO, më konkretisht gjyqtari Erion Bani.
Ndërkohë gjyqtari i Apelit të GJKKO-së që do të vendosë nëse kjo masë sigurie do të vijojë apo do të ndryshojë është Ergert Pëllumbi.
Lini një Përgjigje