TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet 3 Qershor 2025, 14:16

Studiuesi Taulant Muka padit Komisionerin për Informim, "molla e sherrit" bëhet Kolegji i Evropës

Shkruar nga Pamfleti

Studiuesi Taulant Muka padit Komisionerin për Informim, "molla e

Taulant Muka, shkencëtar dhe aktivist i njohur për transparencë në arsim dhe kërkim shkencor, ka dorëzuar një kërkesë padi në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë në Tiranë ndaj Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale. Çështja lidhet me mosdhënien e informacionit publik nga Kolegji i Evropës, kampusi i Tiranës.

Në padinë e tij, Muka thotë se ka kërkuar më 23 mars 2025 dokumentacion mbi lejen e ndërtimit të kampusit të Kolegjit të Evropës, kontratat e përdorimit të godinave publike dhe konvikteve. Pas mungesës së përgjigjes, ai iu drejtua Komisionerit, i cili më 25 prill vendosi të mos e shqyrtojë çështjen me arsyetimin se Kolegji i Evropës nuk është një autoritet publik sipas ligjit shqiptar.

Muka kundërshton këtë qëndrim, duke theksuar se institucioni në fjalë përfiton prona publike, financohet nga Komisioni Europian dhe bashkëpunon me universitete publike në Shqipëri, çka sipas tij e kualifikon si subjekt që duhet t’i nënshtrohet ligjit për të drejtën e informimit.

Kampusi i Kolegjit të Evropës në Tiranë po ndërtohet me fonde publike shqiptare, të cilat mendohen se fillimisht ishin parashikuar për ndërtimin e kampusit të Universitetit të Tiranës. Ndërkohë që punimet për kampusin e ri kanë nisur, është kërkuar transparencë mbi pronësinë dhe kontratat përkatëse. Aktualisht, Kolegji i Evropës operon brenda ambienteve të Universitetit të Tiranës dhe përdor godina të cilat më parë shërbenin si konvikte për studentët e këtij universiteti. Për më tepër, diplomat e lëshuara nga ky institucion konkurrojnë drejtpërdrejt me ato të Universitetit të Tiranës, duke ngritur pyetje mbi barazinë e trajtimit dhe ndikimin në arsimin publik.

Muka kërkon që gjykata ta detyrojë Kolegjin e Evropës të publikojë dokumentet e kërkuara dhe të njohë shkeljen e të drejtës së tij kushtetuese për informim publik.

Lini një Përgjigje