Një operacion i rëndësishëm ndërkombëtar kundër krimit të organizuar është finalizuar mes Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) dhe autoriteteve finlandeze.
Nëntë persona janë arrestuar ndërsa dy të tjerë janë në kërkim si pasojë e një operacionit të përbashkët mes Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) dhe autoriteteve finlandeze.
Kreu i SPAK, Altin Dumani, tha se katër grupet kriminale shqiptare merreshin me trafikimin e sasive të konsiderueshme të drogave sintetike, kokainë, marijuanë, etj.
“Ky hetim përfaqëson jo vetëm një sukses të rëndësishëm në luftën kundër krimit të organizuar, por edhe një arritje e rëndësishme për historinë e SPAK. Krijimi i njësisë së përbashkët hetimore mes SPAK dhe autoriteteve finlandeze”, tha Dumani.
Ai u shpreh se ky operacion është dëshmi e qartë se krimi ka shtrirë aktivitetin e tij edhe në vendet nordike, përfshirë Finlandën.
“Por njëkohësisht hetimi është tregues i besimit që autoritetet ligjzbatuese nordike i kanë dhënë strukturave tona të drejtësisë dhe zbatimit të ligjit”, tha Dumani.
Prokurori Alfred Shehu bëri me dije se 11 kërkesat për masat e sigurimit u pranuan nga Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Sa i përket aksionit, prokurori theksoi se u bë në dakordësi me palën finlandeze.
“Në aksion kanë marrë pjesë edhe përfaqësues të policisë finlandeze. Si rezultat i veprimeve të shpejta u bë i mundur i masës së sigurimit deri më tani i nëntë personave. Po vazhdon puna për të bërë të mundur arrestimin e dy personave të tjerë”, tha Shehu.
Ndërsa oficeri i policisë tha se mbi 110 punonjës policie u përfshinë në aksion.
'Ky ishte një operacion i shkalle vështirësie mesatare, për ekzekutimin e 11 masave, janë mbi 110 punonjës policie, me një efektivitet goxha të mirë. Vazhdon puna për kapjen e personave të tjerë. Ka raste që krijohet perceptim i gabuar, që kur ne dalim në konferenca shtypi, kemi mbaruar punë, por jo. Janë gjetur prova të mjaftueshme, për hetimet pasuese në periudhën në vijim. Ju falenderojmë për besimin që keni pasur te ne.'
Lini një Përgjigje