TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet25 Qershor 2025, 13:33

'Sterilizimi'/ SPAK jep pretencën, sa vite burg kërkon për ish-zv.ministrin Rjepaj dhe biznesmenin Rrapaj

Shkruar nga Pamfleti
'Sterilizimi'/ SPAK jep pretencën, sa vite burg kërkon
Ilir Rrapaj dhe Klodian Rrjepaj

SPAK jep pretencën për dosjen e 'Sterilizimit' dhe kërkon dënimin me burg për 8 të pandehurit

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka lexuar pretencën në dosjen “Sterilizimi” duke kërkuar dënimin me burg për 3 të pandehur.

SPAK kërkon 10 vite burg për ish-zv.ministrin Klodian Rjepaj, ndërsa nga gjykimi i shkurtuar i zbritet në 6.8 vite burg.

SPAK kërkon 10 vite burg edhe për biznesmenin Ilir Rrapaj, i cili nëse dënohet përfiton nga gjykimi i shkurtuar dhe do vuajë shkurtuar 6 vite e 8 muaj.

Për Marsela Serjani SPAK kërkon 3 vite 7 muaj burg, me gjykim të shkurtuar 2 vite e 4 muaj

Për Arben Gjatën SPAK kërkon 2 vite burg, që me gjykim të shkurtuar i zbritet në 1 vit e 4 muaj burg dhe i pezullohet në 3 vite shërbim prove.

SPAK kërkon 2 vite burg për Genc Burazerin, me gjykim te shkartuar i zbritet në 1 vit e 4 muaj dhe i pezullohet ne 2 vite shërbim prove. Të njëjtin dënim kërkon edhe për Naile Ajazin.

Pretenca e SPAK:

Klodian Rjepaj 10 vjet burg/ 6 vjet e 8 muaj në aplikim të gjykimit të shkurtuar

Ilir Rrapaj 10 vjet burg/ 6 vjet 8 muaj në aplikim të gjykimit të shkurtuar

Marsela Serjanaj 3 vjet 6 muaj / 2 vjet 4 muaj në aplikim të gjykimit të shkurtuar

Sajmir Kadiu 3 vjet 6 muaj/ 2 vjet 4 muaj në aplikim të gjykimit të shkurtuar

Petref Mersini 3 vjet 6 muaj/ 2 vjet 4 muaj, që në aplikim të gjykimit të shkurtuar i pezullohet dhe i konvertohet në 4 vite shërbim prove

Arben Gjata 1 vit e 4 muaj, që në aplikim të gjykimit të shkurtuar i pezullohet dhe i konvertohet në 3 vite shërbim prove

Në 2 vite shërbim prove i konvertohet edhe Genc Byrazerit dhe Naile Ajazit.

I përfshirë në dosje dhe ish-ministri, Ilir Beqaj

Në këtë çështje është përfshirë dhe ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj. Për këtë të fundit, më 28 maj, Gjykata Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, vendosi që ai të gjykohet veçmas me procedurë të zakonshme.

Ish-ministri Beqaj, por dhe të pandehurit e tjerë akuzohen për disa vepra penale, si korrupsion, shkelje të barazisë në tendera, mashtrim, mos deklarim dhe fshehje të pasurisë.

Hetimet për dosjen

Prokuroria e Posaçme përfundoi hetimet për koncesionin e Sterilizimit më 30 mars 2024 dhe dërgoi në Gjykatën e Posaçme dosjen për ish-ministrin e Shëndetësisë, Ilir Beqaj, ish-zëvendësin e tij Klodian Rjepaj, biznesmeni që fitoi tenderin, Ilir Rrapaj, si edhe 6 të pancdehur të tjerë.

Sipas hetimeve të SPAK, ish-zv.ministri i Shëndetësisë, Klodian Rjepaj, në cilësinë e Kryetarit të Komisionit të Dhënies së Koncensionit, ka kryer të gjitha veprimet e përllogaritjeve financiare dhe i ka ndryshuar disa herë me qëllim arritjen e treguesve financiarë IRR dhe NPV, në nivele të pranuara nga Ministria e Financave.

Nga hetimet ka rezultuar se numri i ndërhyrjeve kirurgjikale është raportuar i rremë në dokumente që janë paraqitur Ministrisë së Financave, njofton Prokuroria e Posaçme.

Gjithashtu në këta tregues financiar Klodian Rjepaj, me qëllim uljen e normës së IRR dhe NPV, ka shtuar si zëra të kostove të shërbimit në kohëzgjatjen e koncensionit, mirëmbajtje të instrumenteve, të sistemeve dhe centralit të sterilizimit, në vlera disa herë më të larta se vlera e blerjes së tyre të reja.

Gjithashtu në Krahasuesin e Sektorit Publik, si treguesi kryesor për dhënien e këtij projekti me Koncension /Partneritet Publik Privat, janë përdorur kosto të rreme të këtij shërbimi në QSUT për vitin 2013, duke vendosur vlerat e barnave dhe medikamenteve mjekësore, që nuk janë pjesë e këtij shërbimi. Kjo kosto është rritur dhe mbivlerësuar në mënyrë të rreme në masën 56.4%.

Sipas SPAK, gjatë gjithë periudhës përgatitore të projektit, procedurën e tenderimit dhe dhënies së koncensionit deri në firmosjen e kontratës koncensionare, Klodian Rjepaj ka bashkëpunuar ngushtësisht Ilir Rrapaj, me qëllim shpalljen fitues të operatorëve ekonomikë, ku pjesëmarrës është me 40% subjekti tregtar “Investital Llc”, me përfaqësues biznesmenin.

Rjepaj, në cilësinë e Kryetarit të Komisionit të Dhënies së Koncensionit, si personi i cili ka bërë pasqyrat financiare dhe studimin e fizibilitetit, në bashkëpunim me anëtarët e tjerë të komisionit Marsela Serjani, Petro Mersini, Arben Gjata, Saimir Kadiu, Genc Burazeri dhe Naile Ajazi, akuzohet se kanë ligjësuar këta dokumente me të dhëna të pavërteta. 

Ndërsa ish-ministri Ilir Beqaj akuzohet se për veprimet ose mosveprimet që kanë të bëjnë me miratimin dhe nënshkrimin e kësaj kontrate koncensionare, duke i miratuar ato në kundërshtim me rregullat dhe aktet ligjore e nënligjore të zbatueshme për konçesionet, rezulton e provuar plotësisht ka konsumuar elementët e veprës penale të “Shpërdorimit të  detyrës”, e kryer në bashkëpunim, me Klodjan Rjepajn.

Lini një Përgjigje