TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet18 Tetor 2023, 18:10

Standardi i deklaruar nga Dumani, kur do të hetohen pasuritë e Metës, Berishës, Beqajt dhe Xhaçkës?

Shkruar nga Pamfleti
Standardi i deklaruar nga Dumani, kur do të hetohen pasuritë e
Dumani sot në Këshillin e Integrimit Europian

Altin Dumani deklaroi sot se do të ketë hetim pasuror për të gjithë zyrtarët e zhytur në afera, por kur do hetohen pasuritë e “mamuthëve” të korrupsionit...

Kreu i SPAK, Altin Dumani ishte sot në Këshillin e Integrimit Europian, ku renditi arritjet e organit që drejton në luftën kundër korrupsionit. Dumani dha shifra dhe statistika, teksa deklaroi se ka futur një standard të ri në SPAK. Ndëonëse e detyron ligji, Dumani tha se të gjithë prokurorët, paralelisht me hetimin penal ndaj zyrtarëve të përfshirë në afera korrupsioni, nisin dhe hetimin pasuror.

Prokuroria e Posaçme gjatë këtij 9-mujori ka qenë e vëmendshme që për zyrtarët që vijon ndjekja penale për veprat penale të korrupsionit, krahas akuzës dhe dërgimit të çështjes në gjyq, vëmendje ka marrë identifikimi dhe sekuestrimi i vlerës që i përket veprës penale me qëllim final konfiskimin e pasurive të vëna nga veprat penale të korrupsionit”, tha ai.

Por ajo që bie në sy është se në fakt, SPAK po heton shumë zyrtarë të lartë, por për asnjë prej tyre nuk janë marrë masa pasurore. Këtu e kemi fjalën për shembull për Sali Berishën, Ilir Metën, Fatmir Mediun apo dhe funksionarë të tjerë, përfshirë ish-ministra të PS, si rasti i Olta Xhaçkës apo Ilir Beqajt.

Sali Berisha akuzohet për dy vepra madhore korruptive, privatizimi i OSSH nga CEZ dhe privatizimi i pronave të klubit sportiv Partizani. Për të dyja rastet kemi të bëjmë me korrupsion masiv. SPAK po i heton këto dosje, por nuk ka asnjë hetim pasuror për Berishën dhe të akuzuarit e tjerë, siç është dhëndri i tij. Dhëndri i Berishës ka ndërtuar aty kulla dhe ka një pasuri shumë të lartë, por SPAK nuk po ndjek të njëjtin standard me të. SPAK krenohet me Arben Ahmetajn dhe Saimir Tahirin, por në fakt “mamuthët e korrupsionit” shijojnë miliardat.

Emër tjetër është Ilir Meta. Ky i fundit akuzohet për shumë vepra në fushën e korrupsionit. Ai po hetohet për CEZ-DIA, lobimet në SHBA, ndërhyje estetike, pastrim parash, korrupsion, etj. SPAK nuk po ecën me të njëjtën rrugë që ndoqi për Ahmetajn. Këtë të fundit nisi ta hetonte për inceneratorët dhe përfundoi te pasuria. Ndërkohë që Meta e ka pasurinë sheshit dhe SPAK nuk ka pse të mundohet, mjafton të kërkojë se si Meta ka ndërtuar një pallat, vilë në Lalëz, vilë në Bllok, vilë te Kodra e Diellit, si e ka paguar shkollën e fëmijëve në Londër, etj.  

Emër tjetër që po hetohet për shpërdorim detyre është Olta Xhaçka, ish-ministrja e Jashtme dhe e Mbrojtjes. Ajo dyshohet se ka dhënë me koncesion bazën e Sarandës në shkelje të ligjit. Po ashtu burri i saj po hetohet se ka marrë pa të drejtë statusin e investitorit strategjik. Për të, SPAK nuk po vepron siç bëri me Ahmetjan.

Po ashtu kemi Ilir Beqajn. Ky i fundit është nën hetim për aferat me koncesionet në shëndetësi. SPAK jo vetëm nuk e dërgoi në gjykatë, por nuk ka asnjë hetim pasuror, duke rrëzuar kështu Dumanin.

Kreu i SPAK nuk duhet të krenohet me një apartament që i konfiskoi Bashkim Dedjes, por duhet të shkojë te “mamuthët”, pasi ata kanë pasuri sa gjysma e shqiptarëve. /Pamfleti

spak dumani

Lini një Përgjigje