
14 dëshmitarë po merren sot në pyetje në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit te Organizuar në lidhje me tragjedinë e Gërdecit.
Një ndër to është dhe Drita Cani, e cila ka punuar në fabrikën e demontimit të armëve që prej qershorit të vitit 2007. Ajo tregon se municioni vinte me makina të ushtrisë. Cani rrëfen se ajo punonte sëbashku me familjarët e saj dhe merreshin me çmontimin e predhave.
Ajo shpjegon se me mjete të ndryshme si sqeparë apo dalta hiqnim diabolat dhe me çekiç bënim nxjerrjen e barutit. Pasi bëhej ndarja predhat largoheshin me fadroma ndërsa baruti futej në thasë dhe dërgohej tek magazina.
“Kam punuar në fabrikën e demontimit të armëve, në qershor 2007 kam nisur. Kam punuar për 4-5 muaj. Ditën e shpërthimit nuk kam qenë në punë, pasi isha operuar dhe atë ditë në vendin tim ishte goca. Aty kam punuar unë, djali dhe bashkëshorti. Nuk kemi pasur kontrata pune, kishim vetëm një përgjegjës me emrin Vangjel. Ne na kishte punësuar një person me emrin Dritan. Municioni vinte me makina të ushtrisë. Unë me familjarët e mi merreshim me çmontimin e predhave. Ne i shkarkonim nga kamionët hapnim arkat dhe më pas me mjete të ndryshme si sqeparë dhe dalta i hiqnim diabolat dhe me çekiç bënim nxjerrjen e barutit. Pasi bëhej ndarja predhat largoheshin me fadroma ndërsa baruti futej në thasë dhe dërgohej tek magazina”, tha dëshmitarja.
E pyetur se çfarë bëhej me barutin dhe momentin e shpërthimit Drita Cani tregon se sipas asaj çfarë i ka treguar vajza e saj, flaka ka nisur tek dera e magazinës ku dërgohej baruti.
“Ishte punë e rrezikshme, por ne besonim tek shteti se shteti na solli atje, rregulla në punë nuk kishte, nuk na kanë kërkuar dokumente kur kemi nisur punë. Fatmir Mediun se kam parë kurrë dhe as ushtarakë” u shpreh Cani.
Lini një Përgjigje