
Vetëm 3 konfiskime pasurie në kuadër të Ligjit Antimafia...
Prokuroria e Posaçme duket se po e përdor me masë Ligjin Antimafia. Edhe pse elementi bazë kur hetohet një bos krimi apo një i korruptuar është të verifikosh nëse ai e justifikon apo jo pasurinë, duke shkuar te familjarët, fisi, etj., SPAK preferon të bazohet më shumë te Kodi Penal sesa te Ligji Antimafia.
Referuar të dhënave të vitit 2024, SPAK bën me dije në raportin vjetor se në kuadër të këtij ligji ka konfiskuar pasuri kriminale vetëm për 3 persona. Ndërkohë janë sekuestruar pasuri për 8 persona.
“Lidhur me sekuestrimet në kuadër të ligjit Anti-Mafia, gjatë vitit 2024, vërehet që numri i sekuestrimeve është i njëjtë me sekuestrimet e vitit 2023, ndërsa në kuadër të sekuestrimeve në bazë të Kodit Penal evidentohet një rritje nga 8 sekuestrime në vitin 2023, në 17 sekuestrime në vitin 2024 ose ndryshe janë dyfishuar. Lidhur me konfiskimet në kuadër të ligjit Anti-Mafia, gjatë vitit 2024 në krahasim me vitin 2023, vërehet një ulje e numrit të këtyre konfiskimeve, nga 5 konfiskime në vitin 2023, në 3 konfiskime në vitin 2024. Gjithashtu, vërehet një rënie e numrit të konfiskimeve sipas Kodit Penal, nga 20 vendime konfiskimi në vitin 2023, në 11 vendime konfiskimi në vitin 2024”, theksohet në raport.
Vlera e aseteve të sekuestruara dhe konfiskuara për vitin 2024, përllogaritet në vlerën afërsisht prej 65,5 milion euro. Këtu përfshihet vlera e aseteve të sekuestruara dhe konfiskuara në kuadër të Ligjit Anti-Mafia, Kodit Penal dhe Aktit Normativ (OFL). Nga totali rreth 36,8 milion euro është vlera e aseteve të konfiskuara dhe rreth 28,7 milionë euro është vlera e aseteve të sekuestruara.
Ndërsa vlera e pasurive të konfiskuara gjatë vitit 2024, është në vlerën rreth 938 milion lekë nga 440 milion lekë që ishte në vitin 2023.
Por ajo që vihet re është se mamuthët e politikës vijojnë t’i shpëtojnë skanimit të pasurisë. Kemi me dhjetëra emra që janë nën hetim nga SPAK dhe kanë pasuri sheikësh, por prap nuk ju hyn gjemb në këmbë. Ndërkohë, nëse do vihej në zbatim ligji Antimafia, shumë emra nuk do e justifikonin dot luksin. /Pamfleti
Lini një Përgjigje