TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet 1 Gusht 2023, 19:35

SPAK çoi për gjykim Fredi Belerin, Athina mesazh Shqipërisë: Po i hiqni të drejtën e ushtrimit të detyrës

Shkruar nga Pamfleti

SPAK çoi për gjykim Fredi Belerin, Athina mesazh

Athina zyrtare ka reaguar pak orë pasi u bë e ditur se kryebashkiaku i zgjedhur i Himarës, Fredi Beleri u referua në Gjykatën Speciale të Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, me akuzën e korrupsionit aktiv në zgjedhje.

Mediat greke bëjnë me dije se sipas burimeve diplomatike greke, Ministria e Jashtme po monitoron nga afër zhvillimin e çështjes dhe vijon të informojë partnerët ndërkombëtarë dhe evropianë të Greqisë.

Sipas tyre, thuhet se Belerit po i shkelet e drejta e gjykimit të drejtë dhe prezumimin e pafajësisë që “Shqipëria, si vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, duhet të respektojë rreptësisht”.

“Në të njëjtën kohë, autoritetet shqiptare vijojnë t’i heqin Belerit të drejtën politike për të bërë betim dhe për të ushtruar detyrat që i ngarkohen nga qytetarët e Himarës. Ministri i Punëve të Jashtme, Giorgos Gerapetritis, i ngriti të gjitha këto çështje me homologun e tij shqiptar në bisedën e tyre të sotme telefonike”, theksoi pala greke.

Kujtojmë se ditën e sotme Prokuroria e Poçame mbylli hetimet për Fredi Belerin dhe Pandeli Kokaveshin, të cilët u kapën në flagrancë për blerje votash. SPAK i akuzon Belerin dhe Kokaveshin për “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”.

Fredi Beleri u arrestua me urdhër të Prokurorisë së Vlorës dy ditë para zgjedhjeve të 14 Majit. I dënuar dy herë, i dyshuar për masakrën e Peshkëpisë, me arsim të dyshimtë dhe i skeduar për veprimtari antishqiptare, Beleri, me emër të ndryshuar në Dionisios Fredis Beleris, u kap në flagrancë duke blerë vota.

Më 13 Maj, Gjykata e Vlorës vendosi që të lërë në burg Belerin dhe çështjen ia kaloi SPAK-ut, Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Ndërsa më 15 Maj, Fredi Beleri, i cili garonte nën siglën e koalicionit “Bashkë Fitojmë” të dyshes Meta-Berisha, u shpall fitues i zgjedhjeve për Bashkinë e Himarës pavarësisht se ishte pas hekurave.

Arrestimi i Belerit ka shkaktuar reagim të fortë nga Greqia e cila kërcënoi Shqipërinë se vendime të tilla do të kenë ndikim në anëtarësimin në BE-së.

 

fredi beleri spak athina shqiperise

Lini një Përgjigje