TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet21 Janar 2025, 08:08

Sot 14 vite nga 21 janari/ A do të zbardhë SPAK krimin shtetëror që mori 4 jetë të pafajshme?!

Shkruar nga Pamfleti

Sot 14 vite nga 21 janari/ A do të zbardhë SPAK krimin shtetëror

Ndryshe nga herët e tjera, familjarët e viktimave të 21 janarit tashmë sytë i kanë te SPAK, i cili ka nisur hetimet për një prej ngjarjeve më të rënda në vendin tonë gjatë qeverisjes së Sali Berishës.

Sot shënohen 14 vite nga ngjarja e 21 janarit të 2011, ku u vranë në Bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’ 4 protestues opozitarë nga armët e punonjësve të shtetit: Aleks Nika, Ziver Veizi, Hekuran Deda dhe Faik Myrtaj.

Ndryshe nga herët e tjera, familjarët e viktimave të 21 janarit tashmë sytë i kanë te SPAK, i cili ka nisur hetimet për një prej ngjarjeve më të rënda në vendin tonë gjatë qeverisjes së Sali Berishës.

Vendimi i Gjykatës së Strasburgut, e cila e quajti krim shtetëror i hapi rrugë hetimeve nga SPAK, duke regjistruar procedimin penal me datë 15 korrik 2024, edhe pas një vendimi të Gjykatës së Lartë, për 3 vepra penale "Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, e kryer në bashkëpunim, kundër dy ose më shumë personave dhe në mënyrë të rrezikshme për jetën e shumë personave, “Shpërdorim i detyrës”, e kryer në bashkëpunim dhe “Kryerja e veprimeve që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, e kryer në bashkëpunim. Tashmë SPAK, do zbardhë rolin e ish-kryeministrit Sali Berisha, ish-ministrit të Brendshëm Lulzim Bashës, ish-kreut të Gardës Ndrea Prendit e të tjerëve.

SPAK ka nisur marrjen në pyetje për dosjen e 21 janarit, ku deri më tani janë pyetur ish-drejtori i Përgjithshëm i policisë së shtetit Hysni Burgaj, zëvendësi i tij Agron Kuliçaj, deputeti i PS, Xhemal Qefalia, si edhe Saimir Tahiri.

Procedimi penal është regjistruar për vrasjen e Aleks Nikës dhe plagosjen e tre protestuesve të tjerë, Artes Dybeli, Ilia Qesko dhe Ilia Papa, por nëse akuzat provohen dhe faktohet se garda është urdhëruar të kalojë nga plumbat manovër në plumba të vërtetë nga Sali Berisha apo Lulzim Basha, ndëshkimi do të jepet për të gjitha jetët e humbura, si krim shtetëror!

Protesta që përfundoi në tragjedi

Në 21 janar 2011, opozita socialiste thirri në protestë qytetarët, pas videoskandalit Meta-Prifti, ku flitej për aferë korruptive. Protestuesit u mblodhën para Kryeministrisë, me thirrje kundër kryeministrit të atëhershëm Sali Berisha.

Por, kur turma tentoi të hynte në oborrin e Kryeministrisë, situata u tensionua dhe shumë shpejt nisën të shtënat me armë nga ambienti i brendshëm. Plumbat lanë pas katër viktima: Hekuran Dedën, Ziver Veizin, Faik Myrtajn dhe Aleks Nikajn.

Sali Berisha akuzoi Partinë Socialiste se donte t’i bënte puç. Ndërsa opozita akuzoi si urdhërues të vrasjeve kryeministrin dhe ministrin e Brendshëm.

Hetimi i parë çoi si të pandehur për ngjarjen Ndrea Prendin dhe Agim Llupon. Gjykata vlerësoi se vrasjet e Ziver Veizit, Faik Myrtajt dhe Hekuran Dedajt kanë ndodhur nga pakujdesia dhe dënoi ish-komandantin e Gardës, Ndrea Prendi me një vit burg, si dhe gardistin Agim Llupo me 3 vite.

spak 21 janari berisha basha

Lini një Përgjigje