TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet29 Dhjetor 2023, 11:18

Sokol Sadushi: Rekurset, problem serioz në Gjykatën e Lartë

Shkruar nga Pamfleti

Sokol Sadushi: Rekurset, problem serioz në Gjykatën e Lartë

Kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi shprehet se një nga problematikat në sistemin e drejtësisë është edhe numri i lartë i rekurseve, të cilat nuk arrijnë të kalojnë testin e pranueshmërisë.

Gjatë fjalës së tij në konferencë për mediat, Sadushi thotë se për vitin 2023 nuk e kalojnë këtë test 36% e rekurseve në Kolegjin Civil, 70% në Kolegjin Administrativ dhe 70% në Kolegjin Penal.

Sadushi e quan të papranueshme për ata që prezumohet se kanë njohuri për ligjin, të vijojnë të paraqesin rekurse haptazi të pabazuara.

Kreu i Gjykatës së Lartë shton se mënyra se si paraqiten rekurset përbën një problem tepër serioz që dëshmon për nivelin e ulët profesional të përfaqësimit.

"Gjatë vitit 2023, krahas shqyrtimit të çështjeve sipas kriterit kronologjik është ndjekur edhe një skemë përparësie, ku përfshihen rekurset e veçanta, çështjet e pezulluara, çështjet familjare, të pronës, masat e sigurimit pesonal, vendimet për ekstradime, etj, pa shmangur çështjet emergjente dhe me afate të shpejta gjykimi, në veçanti ato që i përkasin shtresave më vulnerabël të shoqërisë, sidomos pensionistëve, apo të larguarve padrejtësisht nga puna.

Heqjet dorë nga rekursi prej institucioneve publike ka vijuar edhe gjatë këtij viti, fenomen që është vënë re edhe te individët. Janë 468 kërkesa për heqje dorë nga rekursi, nga të cilat 384 i përkasin institucioneve publike dhe 84 individëve, të ndara në: 261 në fushën administrative, 177 në civile dhe 30 në penale. Kjo prirje nevojitet të shoqërohet edhe me mosparaqitjen e rekurseve të reja, që dukshëm rezultojnë të pabazuara.

Përherë e kam evidentuar si një problematikë shqetësuese numrin e lartë të rekurseve, të cilat nuk arrijnë të kalojnë testin e pranueshmërisë. E ndarë sipas fushave, për vitin 2023 nuk e kalojnë këtë test 36% e rekurseve në Kolegjin Civil, 70% në Kolegjin Administrativ dhe 70% në Kolegjin Penal. Por nëse do shohim raportin ndërmjet individëve/personave juridik privatë, nga njëra anë dhe organeve publike nga ana tjetër, rekurset e papranueshme në fushën administrative dhe civile i përkasin më tepër organeve publike. Për këtë vit, organet publike rezultojnë gjyqhumbëse në 70% të çështjeve administrative (1.441 çështje) dhe 73% të çështjeve civile (701 çështje). Individët/personat juridik privatë rezultojnë gjyqhumbës në 30% të çështjeve administrative (629 çështje) dhe 27% të çështjeve civile (263 çështje). Ky raport është i ndryshëm në fushën penale, ku prokuroria rezulton gjyqhumbëse në 33% të çështjeve (521 çështje), ndërsa individët rezultojnë gjyqhumbës në 67% të tyre (1039 çështje).  

Moskalimi i testit të pranueshmërisë adreson shqetësimin tek avokatët privat, Avokatura e Shtetit dhe prokuroria. Është e papranueshme për ata që prezumohet se kanë njohuri për ligjin, të vijojnë të paraqesin rekurse haptazi të pabazuara. Duhet të kuptohet qartë se përfundimi që nxjerrë Gjykata e Lartë për një rekurs haptazi të pabazuar nuk ka ndonjë dallim nga rasti, kur evidentohet kryerja e një veprimi abuziv nga avokati apo përfaqësuesi i shtetit, të cilët nuk mund dhe nuk duhet lënë pa u ndëshkuar, si nga Dhoma Kombëtare e Avokatisë, ashtu edhe nga Avokatura e Përgjithshme e Shtetit.

Mënyra se si paraqiten rekurset përbën një problem tepër serioz që dëshmon për nivelin e ulët profesional të përfaqësimit. Pavarësisht masave që merr Gjykata e Lartë, qoftë edhe me gjobitjen e avokatëve, paraqitet i domosdoshëm ndryshimi i mentalitetit juridik, por edhe kuptimi për mjetet e ankimit, në përgjithësi dhe rekursit, në veçanti. Avokatët duhet të kuptojnë se Gjykata e Lartë është një gjykatë ligji dhe jo një gjykatë fakti. Nevojitet që ata të ndjekin praktikën gjyqësore, me qëllim që të mos e investojnë Gjykatën për çështje të panevojshme, me rekurse të pasuksesshme dhe haptazi të pabazuara. Këtë e dëshmon më së miri procedura e seleksionimit të rekurseve e aplikuar nga Kolegji Administrativ që po jep rezultat pozitiv si në moslejimin e shtimit artificial të çështjeve, në orientimin e shpejtë të praktikës gjyqësore, por edhe në evidentimin e mungesës së profesionalizimit të përfaqësuesve ligjorë. Vetëm gjatë vitit 2023, nga ky proces seleksionues në fushën administrative janë vlerësuar haptazi të pabazuara 42% e rekurseve të paraqitura", tha Sadushi.

Lini një Përgjigje