TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet15 Korrik 2026, 14:43

Skënder Hita urdhëron masa të shtuara për rendin dhe sigurinë: Fokus krimi, zjarret dhe sezoni turistik

Shkruar nga Pamfleti

Skënder Hita urdhëron masa të shtuara për rendin dhe

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Skënder Hita, zhvilloi një takim pune me drejtorët e drejtorive vendore të Policisë në qarqe dhe drejtuesit e departamenteve, ku u analizua situata e rendit dhe sigurisë publike në vend dhe u përcaktuan prioritetet e punës për periudhën në vijim.

Gjatë takimit, Hita kërkoi angazhim maksimal nga të gjitha strukturat policore për parandalimin e ngjarjeve kriminale, zbardhjen e tyre në kohë dhe ndjekjen me prioritet të çdo shqetësimi të ngritur nga qytetarët. Ai theksoi se çdo rast duhet të trajtohet me përgjegjësi dhe profesionalizëm deri në përfundimin e plotë të procedurave hetimore.

Një tjetër fokus i diskutimit ishte rritja e efikasitetit të shërbimeve për garantimin e rendit dhe sigurisë publike, forcimi i parametrave të sigurisë rrugore dhe shtimi i pranisë së Policisë në terren, veçanërisht gjatë sezonit turistik. Sipas Drejtorit të Përgjithshëm, strukturat policore duhet të garantojnë reagim të menjëhershëm dhe mbështetje për qytetarët dhe turistët në çdo rast nevoje.

Drejtori Hita vuri gjithashtu theksin te respektimi i etikës policore, integritetit dhe rritja e performancës së çdo punonjësi të Policisë së Shtetit.

Në drejtim të luftës kundër kriminalitetit, ai kërkoi intensifikimin e masave për parandalimin dhe goditjen e kultivimit të bimëve narkotike, si në ambiente të mbyllura me llamba ashtu edhe në terren, si dhe goditjen pa kompromis të shpërndarjes së lëndëve narkotike, duke e cilësuar këtë fenomen një kërcënim serioz për sigurinë publike dhe për të ardhmen e të rinjve.

Po ashtu, Drejtori i Përgjithshëm urdhëroi vijimin me intensitet të operacioneve kundër armëmbajtjes pa leje, kapjen e personave në kërkim, goditjen e lojërave të fatit të paligjshme dhe luftën ndaj krimeve mjedisore, me synimin për rritjen e rezultateve në të gjitha drejtimet e veprimtarisë policore.

Në kuadër të situatës së zjarreve në vend, Hita kërkoi angazhim maksimal për parandalimin e tyre, identifikimin dhe arrestimin e autorëve të çdo rasti zjarrvënieje, duke nënvizuar se mbrojtja e jetës së qytetarëve, pronës dhe mjedisit mbetet një nga prioritetet kryesore të Policisë së Shtetit.

Në përfundim të takimit, Drejtori i Përgjithshëm u kërkoi drejtuesve të drejtorive vendore dhe shefave të komisariateve të jenë personalisht në krye të shërbimeve, të shtojnë praninë në terren në zonat problematike, të ushtrojnë drejtim efektiv të strukturave që drejtojnë dhe të forcojnë bashkëpunimin me agjencitë ligjzbatuese dhe institucionet përgjegjëse për garantimin e rendit dhe sigurisë publike në të gjithë vendin.

policia

Lini një Përgjigje