TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet18 Gusht 2023, 09:33

Skandali 100 mln euro për “Sterilizimin”, nis seanca në GJKKO për ish-zv.ministrin i Shëndetësisë dhe biznesmenin Rrapaj

Shkruar nga Pamfleti

Skandali 100 mln euro për “Sterilizimin”, nis seanca në

Në Gjykatën e Posaçme po mbahet seanca ku të arrestuarit nga SPAK për koncesionin e sterilizimit do të njihen me masën e sigurisë, mes tyre edhe ish-zv.ministri i Shëndetësisë Klodjan Rjepaj dhe biznesmeni Ilir Rrapaj, të cilët u arrestuan me urdhër të SPAK për koncesionin e sterilizimit me vlerë 100 milion euro.

Me kërkesë të prokurorit Edvin Kondili, GJKKO caktoi masa sigurie edhe ndaj gjashtë personave të tjerë, zyrtarë të ministrisë së Shëndetësisë, të cilët kanë qenë anëtarë të Komisionit të tenderit të sterilizimit. Gjyqtari Erion Bani caktoi “arrest shtëpie” për Saimir Kadiun drejtor ekonomik dhe Marsela Serjanaj drejtoreshë juridike në Ministrinë e Shëndetësisë. Mjeku Arben Gjata, shef Kirurgjie dhe rektor i Universitetit të Mjekësisë është lënë nga gjykata në masën detyrim paraqitjeje.

E njëjta masë është vendosur edhe për të pandehurit Naile Ajazi, Genc Byrazeri dhe Petro Mersini, ish-drejtor i përgjithshëm i shërbimit spitalor në Ministrinë e Shëndetësisë.

Veprat penale të shënuara në dosje nga SPAK, janë falsifikim dokumentesh dhe shpërdorim detyre për zyrtarët, dhe mashtrim për biznesmenin Rrapaj. Prokurori mësohet se i ka dërguar kërkesat për masa në gjykatë në muajin qershor, por zbatimi i tyre është bërë vetëm pas lokalizimit të biznesmenit Ilir Rrapaj, i cili është ndaluar në Dhërmi ku ndodhej me pushime. Pronari i kompanisë fituese të koncesionit të sterilizimit Ilir Rrapaj, sipas burimeve të hetimit kishte refuzuar të paraqitej për të dëshmuar në SPAK.

Masat e sigurisë:

Klodjan Rjepaj- 'arrest me burg' i akuzuar për 'Falsifikim i dokumenteve' dhe 'Shpërdorimi i detyrës'

Ilir Rrapaj- 'arrest me burg' i akuzuar për 'Mashtrim'

Saimir Kadiu- 'arrest shtëpie' i akuzuar për 'Falsifikim i dokumenteve' dhe 'Shpërdorimi i detyrës'

Marsela Serjana- arrest shtëpie, e akuzuar  'Falsifikim i dokumenteve' dhe 'Shpërdorimi i detyrës'

Arben Gjata- detyrim paraqitje, i akuzuar 'Falsifikim i dokumenteve' dhe 'Shpërdorimi i detyrës'

Naile Ajazi- detyrim paraqitje, i akuzuar 'Falsifikim i dokumenteve' dhe 'Shpërdorimi i detyrës'

Genc Byrazeri- detyrim paraqitje, i akuzuar 'Falsifikim i dokumenteve' dhe 'Shpërdorimi i detyrës'

Petri Mersini- detyrim paraqitje, i akuzuar 'Falsifikim i dokumenteve' dhe 'Shpërdorimi i detyrës'

 

Për këtë dosje më 4 Gusht të këtij viti u mor në pyetje, ish-ministrja e Financave dhe Ekonomisë Anila Denaj, për afro 2 orë e 30 minuta. Denaj dha deklarime lidhur me koncesionin e sterilizimit të nënshkruar në vitin 2015 nga ministria e Shëndetësisë.

Për koncesionin e sterilizimit më herët është marrë në pyetje edhe ish-ministri Ilir Beqja. Dhënia e koncesionit të sterilizimit u firmos në vitin 2015 mes ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqja dhe kompanisë koncesionare “SaniService”.

SPAK e nisi hetimin për këtë koncesion në vitin 2019, pas një kallëzimi të depozituar nga ana e nismës “Thurje”. Në 2020-ën çështja u regjistrua për 3 akuza që janë “shpërdorim detyre”, “shkelje të barazisë në tendera” dhe “korrupsion pasiv”.

Hetimet kishin në fokus marrëveshjen mes ministrisë me kompaninë që fitoi koncesionin me vlerë 100 mln euro. Raportet e bëra ndër vite nga ana e Kontrollit të Lartë të Shtetit kanë ngritur alarmin se ky koncesion po i shkaktonte një dëm të madh ekonomik buxhetit të shtetit pasi kostot kishin nisur të rriteshin me 20-30% më shumë nga ç’ishin parashikuar në kontratë.

Mësohet po ashtu se në kontratën  e lidhur mes ministrisë së asaj kohe me kompanitë që kishin fituar koncesionin ishte në favor të “Bashkimit të Operatorëve Ekonomikë” dhe jo të shtetit. SPAK përpos 8 urdhër arresteve të miratuara nga ana e gjykatës, vijon hetimet për çështjet pasi koncesioni është kryer në bazë të dokumentave, për të zbuluar se si u bë e gjithë procedura.

skandali 100 mln euro me koncesionin e sterilizimit nis seanca në gjkko për ish-zv.ministrin rjepaj

Lini një Përgjigje