Drejtuesi i Nismës, Thurje Endri Shabani ka komentur 8 urdhër-arrestet e lëshuar sot nga SPAk lidhur me koncesionin për sterilizimin.
Shabani thekson se hetimi nuk është në fundin e tij dhe se duhet të shkojë deri te ish-ministri. Ai u shpreh se kryeministri duhet të mbajë përgjegjësi ligjore, para se të mbajë përgjegjësi morale.
Shabani vuri po ashtu në dukje se duhet të konfiskohen vilat që janë ndërtuar me paratë e vjedhura. Kreu i Nismës Thurje tha se kur vjen puna për të denoncuar në SPAK aferat mazhoranca dhe opozita janë bashkë, sepse vjedhin bashkë dhe mbrojnë njëri-tjetrin.
“SPAK është katër vite me vonesë. Kini parasysh që ka pasur një ndryshim në drejtimin e SPAK-ut. Në këtë vit shumë dosje që për 3 vite janë zvarritur, kanë filluar të avancojnë. Ka një zhvillim pozitiv, padyshim nuk mjafton. Ne presim që hetimi të shkojë edhe më lart, presim që të arrestohet ish-ministri dhe deri ku shkon zinxhiri i kësaj vendimmarrje sepse këtu janë vjedhur para që duhet të shkonin për spitale, ilaçe, për të ndërtuar një shëndetësi e cila është praktikisht një nga arsyet pse njerëzit emigrojnë. E dyta të gjitha paratë që janë vjedhur duhet të konfiskohen. Nëse janë ndërtuar vila me ato para, ato vila duhet të konfiskohen dhe të kthehen në qendra shëndetësore. Periudhës kur këta abuzonin me pushtetin publik, kur vidhnin shqiptarët dhe s’u hynte gjemb në këmbë duhet t’i vijë fundi dhe jam shpresëplotë që po i vjen fundi. SPAK-u dhe drejtësia do bëjë një pjesë, pjesa tjetër është politike. Kur ishte koha për ta kallëzuar këtë aferë, Nisma Thurje ishte e vetmja që e çoi në SPAK. U përballë me këta zyrtarë të korruptuar, unë besoj edhe me grupe kriminale të përfshirë në këto afera. Kjo tregon guximin e Nismës Thurje, dhe tregon që këta në 30 vjet janë mësuar ta akuzojnë njëri-tjetrin, por nuk e prekin realisht aty ku u dhemb, kur vjen puna për ta arrestuar njëri-tjetrin, për ta luftuar korrupsionin me themel nuk e bëjnë, sepse janë bashkë ortakë. Bashkë ndërtojnë pallate, rezorte, bashkë vjedhin dhe mbrojnë njëri tjetrin. Po të shikosh kontratën që është lidhur me privatin s’ka asnjë arsye racionale për ta justifikuar. Ne kemi bërë një përllogaritje atë kohë, ku nëse shteti do kishte vazhduar ta bënte vetë sterilizimin e instrumenteve mjekësore do na kishte kursyer 3, 7 milionë euro. Ne i japim koncesionarit deri në 17 milionë euro në vit, për një gjë që shumë kollaj mund ta bënte shumë më mirë dhe më lirë buxheti i shtetit.”, tha Shabani në MCN TV .
“Është shkelur barazia në tendera, s’ka pasur një konkurrim të hapur publik, ku mund të kishim marrë oferta më të lira dhe kompani më të specializuara, ndërkohë aktorët kanë qenë pa ekspertizë. Flasim për miliona euro në çdo vit që në vend që të shkonin për të blerë ilaçe, dhe shëndetësinë, kanë shkuar për të ndërtuar vila. Për tre vite pati një pezullim të këtij procesi. SPAK-u do tregojë sa i përfshirë ka qenë ministri Beqaj. Nuk mund të ketë qenë vendimmarrje e nivelit të ulët. Nuk jemi në fundin e kësaj aferë, sikurse s’jemi në fundin e aferës së inceneratorëve. Vetëm fakti që këta shkojnë në burg s’mjafton, është shumë i rëndësishëm konfiskimi i pasurisë. Kam frikë se kryeministri duhet të mbajë përgjegjësi ligjore, para se të mbajë përgjegjësi morale. Është e vështirë të thuash që ministri dhe kryeministri ka vetëm përgjegjësi morale, flasim për një vjedhje dhe abuzim me buxhetin e shtetit, që ka ndikuar edhe në humbjen e jetëve në pandemi, pasi do kishim blerë më shumë resipiratorë gjatë pandemisë. Vetëm nëse i çojnë çështjet në SPAK mund të kuptojmë nëse këta e kanë seriozisht me njëri-tjetrin. Kur shoh aktorë në opozitë që sulmojnë SPAK-un kur arrestohen funksionarë të kësaj mazhorance, shtroj pyetjen pse. A është arsye që këta janë bashkë, a është përpjekje e përbashkët për të deligjitimuar drejtësinë. Nuk e di. Nuk është ajo që do të prisja nga aktorët opozitarë, që do ishin shumë të kënaqur kur zyrtarë të korruptuar të kësaj qeverie arrestohen”, shtoi ai.
Lini një Përgjigje