
Analisti Genc Burimi dhe kreu i “Lëvizjes Bashkë” Arlind Qori, ka debatuar lidhur me bashkëpunimin e forcave të reja me ato që konsiderohen si forcat e vjetra politike në vend.
Arlind Qori tha se idetë janë të negociueshme dhe të diskutueshme, por karakteri moral është i panegociueshëm. Qori u shpreh gjithashtu se nuk do të ketë kurrë bashkëpunim me kryeministrin Rama.
“Me Edi Ramën nuk kemi asnjë arsye pse të bashkëpunojmë”, tha Qori. Ai shtoi se partia e tij nuk bashkëpunon me asnjë nga organizatat korruptive.
Madje ai theksoi se nuk të bashkëpunonte as me Partisë Demokratike pasi do të tradhëtonte njerëzit që i kanë besuar alternativës së tij, duke humbur 14 mijë votat që fitoi në zgjedhjet e fundit si kandidat për kryebashkiak të Tiranës.
Por, analisti Genc Burimi tha se nuk mund të thuhet në mënyrë të prerë se nuk do të ketë bashkëpunime. Në këtë kuadër, Burimi u shpreh se Churchill bashkëpunoi me Stalinin, sikundër nesër për të zgjidhur konfliktin në Ukrainë, do të duhet të bashkëpunohet me Putin që ka duart e lyera me gjak.
Qori tha se Lëvizja Bashkë përfaqëson të majtën në Shqipëri.
“Nuk jemi ekstrem, por në Shqipëri mungon e majta, pasi edhe kryeministri Edi Rama ka favorizuar oligarkët. Karakteri moral është i panegociueshëm, por mund të negociojmë nivelin e taksave”, u shpreh Qori.
Ai tha se Edi Rama është i vetmi politikan që nuk debaton me asnjë kundërshtar politik.
“Rasti i parë dhe i fundit ishte debati me Besnik Mustafaj në vitin 2000”, shtoi kreu i “Lëvizjes Bashkë”.
Ndërsa analisti Genc Burimi tha se duhet një ligj që të detyrojë kryeministrin të dalë në debate publike.
Lini një Përgjigje