TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet22 Prill 2026, 10:33

Si përfunduan në vilën e Agasit te ‘Equos Resort’, mbi 950 mijë euro verëra të shtrenjta

Shkruar nga Pamfleti

Si përfunduan në vilën e Agasit te ‘Equos Resort’,

Hetimet e SPAK kanë nxjerrë në pah detaje të reja lidhur me verërat e shtrenjta të gjetura në kantinën e vilës së Ergys Agasit në ambientet e “Equos Resort”, për të cilat, sipas autoriteteve, ai nuk rezulton të ketë kryer asnjë pagesë. Sipas vendimit të Gjykatës për sekuestrimin e pasurive, këto produkte dyshohet se janë përdorur si formë shpërblimi nga kompani që kishin përfituar tendera nga AKSHI.

Në dokument thuhet se shoqëritë “Soft & Solution” shpk në pronësi të Ermal Beqirit, “Fastech” shpk e Andis Papës, “First” shpk e Gëzim Hoxhës, si dhe subjekte të tjera të lidhura me to, dyshohet se kanë ofruar këto përfitime në këmbim të kontratave publike. Vlera e përgjithshme e këtyre përfitimeve llogaritet mbi 950 mijë euro.

Një faturë e gjetur në garazhin e një tjetër vile të Agasit në Qerret të Durrësit ka ndihmuar hetuesit të identifikojnë furnizuesin e pijeve luksoze, të cilat importoheshin në Shqipëri përmes postës së shpejtë DHL. Fatura ishte në emër të shoqërisë “Fast & Fresh”, në pronësi të Andis Papës, i cili zotëron gjithashtu kompaninë “Fastech”, përfituese tenderash nga AKSHI.

Sipas hetimeve, gjatë periudhës tetor 2024 – nëntor 2025, “Fast & Fresh” ka importuar pije në vlerë totale prej 1,130,265 euro. Ndërkohë, për periudhën nëntor 2024 – dhjetor 2025, kjo kompani ka faturuar ndaj “Fastech” dhe “Soft & Solution” një shumë prej 94,423,883 lekësh, ose mbi 950 mijë euro.

Këto të dhëna, sipas SPAK, përputhen me gjetjet gjatë kontrollit në vilën e Agasit në “Equos Resort”, ku u konstatuan një numër i madh shishesh vere të kuqe, të ngjashme me ato të importuara nga “Fast & Fresh”.

Megjithatë, rreth 600 shishe verë të shtrenjta të sekuestruara fillimisht në vilë rezulton se janë zhdukur, pasi prokurorët kishin ngarkuar Doganën me detyrën për bllokimin e mallrave pa pullë fiskale.

Dyshimet se këto produkte janë porositur për llogari të Ergys Agasit mbështeten edhe nga deklarimet e të hetuarit Andis Papa, i cili ka pohuar se verërat e importuara nga kompania e tij “kryesisht kanë qenë porosi të shtetases Arjola Kormani”.

Papa ka sqaruar se porositë kryheshin në emër të “Fast & Fresh”, ndërsa pagesat realizoheshin përmes transfertave bankare dhe, në disa raste, edhe në cash nga përfaqësues të “Soft & Solution”. Ai ka theksuar gjithashtu se këto produkte janë shitur pa fitim, për shkak të marrëdhënies së bashkëpunimit me Ermal Beqirin.

Lini një Përgjigje