
Gjykata e Lartë ka rrëzuar kërkesën për të hequr sekuestron e inceneratorit të Tiranës. Me kërkesë të SPAK, Gjykata e Posaçme pak kohë më parë vendosi nën sekuestro inceneratorin, duke e shpallur atë zonë krimi. Po ashtu SPAK pak javë më parë kreu dhe një aksion duke vënë nën akuzë disa persona.
Kompania që ka koncesionin e inceneratorit të Tiranës ju drejtua Gjykatës së Lartë pas vendimit të formës së prerë të Apelit, por dhe Gjykata e Lartë ka lënë në fuqi vendimin.
Inceneratori i Tiranës u sekuestrua nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në korrik të vitit të kaluar.
Sipas SPAK gjatë hetimeve rezultoi se shtetasit Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri janë pronarët “de facto” të shoqërisë “Integrated Energy B.V SPV” sh.p.k, e cila ka fituar kontratën koncesionare “Ndërtim landfilli, Inceneratori dhe rehabilitimi i vendepozitimeve ekzistuese, Tiranë”, si dhe janë pronarët “de facto” të shoqërisë mëmë të saj, të themeluar në Hollandë, “Integrated Energy B.V”, ndryshuar më pas me emrin “Geogenix B.V”.
Pas këtij vendimi, kompania i kaloi në administrim Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara, në Ministrinë e Brendshme dhe Administratori Shtetëror, u caktua Arjan Baçi.
Kjo nuk ështe tentativa e parë që aksionerët e kompanisë Integrated Energy kanë kërkuar heqjen e sekuestros, pasi më herët kanë bërë kërkesë edhe në Gjykatën e Apelit, mirëpo dhe kjo e fundit la në fuqi sekuestron dhe administrimin shtetëror të kompanisë duke e konsideruar vendimin e shkallës së parë si të drejtë dhe të mbështetur në prova.
Lini një Përgjigje