
Fëmijët janë ata që po vuajnë më së shumti nga gripi dhe virozat e stinës. Ndërsa urgjenca e pediatrisë prej javësh po përballet me një fluks të shtuar, e njëjta situatë paraqitet edhe tek mjekët pediatër në qendrat shëndetësore në kryeqytet.
“Situata tek fëmijët realisht e rënduar, ne shohim që ka fëmijë që nga bebet e vogla, mosha e çerdheve e kopshteve, ka ditë që janë të rënduara që në shkojmë në 40 apo 50 vizita në ditë”, tha mjekja pediatre Sonila Brati.
Mjekët thonë se këtë vit gripi po shfaqet më agresiv duke shkaktuar disa komplikacione tek të vegjlit.
“Me disa problematika e para temperatura e lartë që shkon 7 deri ne 10 ditë, këto ditë po shohim shumë fëmijë me temperaturë, kollë, sekrecione, rrufë, dhimbje fyti, të cilat mund të komplikohen deri në raste të rënda”, u shpreh Brati.
Gripi në shumicën e rasteve nis nga fëmijët por më tej përhapet tek të gjithë pjesëtarët e tjerë të familjes.
Pavarësisht kohëzgjatjes së temperaturës në shumë raste mjekët kërkojnë nga qytetarët që të mos marrin vetë antibiotik, pasi ato nuk shërbejnë në situatat virale. Pushimi, ushqim i shëndetshëm dhe sa më shumë lëngje mbetet këshilla e mjekëve për të gjithë ata që preken nga viroza apo gripi.
Lini një Përgjigje