TAGS-AT E JAVËS

Dosja e zezë17 Qershor 2026, 16:00

Shqipëria vend eksperimentesh, PE miraton modelin e Gjadrit për dëbimin e emigrantëve

Shkruar nga Pamfleti
Shqipëria vend eksperimentesh, PE miraton modelin e Gjadrit për
Rama-Meloni në Gjadër

Parlamenti Europian i hapi rrugë modelit të qendrave jashtë territorit të unionit. Deri tani, rasti i vetëm konkret është marrëveshja Itali-Shqipëri për kampet në Gjadër dhe Shëngjin.

Parlamenti Europian ka miratuar një paketë të re rregullash që ashpërson politikën e Bashkimit Europian për kthimin e migrantëve dhe lejon transferimin e tyre në vende të treta të konsideruara të sigurta. Votimi shënon një kthesë të rëndësishme në qasjen e BE-së ndaj migracionit, por njëkohësisht hedh sërish dritë mbi rolin që Shqipëria ka marrë në këtë proces.

Me 418 vota pro, 218 kundër dhe 30 abstenime, eurodeputetët i dhanë mbështetje një modeli që deri më sot është testuar vetëm në një rast konkret: marrëveshjen mes Italisë dhe Shqipërisë për ngritjen e qendrave të migrantëve në Gjadër dhe Shëngjin.

Rregullorja e re u lejon vendeve anëtare të transferojnë azilkërkuesit, kërkesat e të cilëve janë refuzuar, drejt vendeve të treta me të cilat kanë marrëveshje specifike. Në praktikë, kjo do të thotë se modeli që Roma dhe Tirana kanë vendosur në zbatim mund të mos mbetet më një përjashtim, por të shndërrohet në një referencë për politikat e ardhshme europiane.

Për kritikët e kësaj qasjeje, votimi i Strasburgut konfirmon se Shqipëria është përdorur si një laborator politik për të testuar një formulë që shumë shtete anëtare të BE-së nuk kanë qenë të gatshme ta zbatojnë brenda kufijve të tyre. Pikërisht për këtë arsye, marrëveshja Itali-Shqipëri ka qenë prej muajsh në qendër të debateve mbi të drejtat e migrantëve dhe përgjegjësitë që Bashkimi Europian po transferon jashtë territorit të vet.

Rregullat e reja parashikojnë që migrantët pa të drejtë qëndrimi të mund të dërgohen në vende të treta edhe nëse nuk kanë asnjë lidhje me to. Ato gjithashtu shkurtojnë afatet për ekzekutimin e dëbimeve dhe zgjasin periudhën e ndalimit administrativ për personat që nuk bashkëpunojnë me autoritetet.

Votimi ndau thellësisht Parlamentin Europian. Në favor u rreshtuan forcat e qendrës së djathtë, konservatorët dhe grupet e djathta, ndërsa socialistët, të gjelbrit dhe e majta e kundërshtuan, duke paralajmëruar se masat e reja mund të cenojnë të drejtat themelore të migrantëve.

Ndërkohë, kryeministrja italiane Giorgia Meloni e cilësoi rezultatin si një fitore politike për vizionin e saj mbi menaxhimin e migracionit. Por përtej debatit në Bruksel dhe Strasburg, një fakt mbetet i pandryshuar: ndërsa Europa diskuton për eksportimin e politikave të migracionit jashtë kufijve të saj, Shqipëria është vendi ku ky eksperiment ka nisur tashmë të marrë formë. /Pamfleti

rama meloni be gjader

1 Komente

  1. T
    Tiranë

    Vendi nuk duhet te përdoret per deponi! Shqipëria eshte shtet i vogël, nuk la hapësire per deponi te shteteve te BEse. Po, sot e keni gjet Shqiperine pa zot e me tradhtar. Por kjo nuk duhet te zgjas shume.

    Lini një Përgjigje