TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet24 Dhjetor 2025, 21:10

“Shqipëria në duart e bandave”, Shemsi Prençi: Krimi në vend shumë i sofistikuar, policia mashtron me statistikat

Shkruar nga Pamfleti
“Shqipëria në duart e bandave”, Shemsi Prençi:
Shemsi Prençi

I ftuari i mbrëmjes së sotme në podcastin e Pamfleti, Te Pashoq, ishte Shemsi Prençi, ekspert sigurie dhe ish-drejtues i Policisë së Shtetit, i cili hodhi poshtë analizat zyrtare mbi kriminalitetin, duke i cilësuar ato si lojë me statistikat dhe jo pasqyrim të realitetit.

I pyetur për perceptimin mbi vitin 2025 dhe nëse mund të konsiderohet një vit më i qetë krahasuar me të shkuarën, Prençi u shpreh hapur kundër analizës numerike të vrasjeve. Ai tha se edhe gjatë kohës që ka qenë në Policinë e Shtetit e ka urryer analizën me statistika, pasi sipas tij ajo deformon të vërtetën.

-Çfarë perceptimi ke për 2025-ën? Mund të themi që ishte një vit më i qetë krahasimisht? Sepse po të ndalemi në shifra, 39 vrasje këtë vit, po jo se vjet mund të ketë një numër pak më të lartë, duket sikur zhvlerësojmë jetët njerëzore. Kështu që le ta bëjmë analizën në frymën e përgjithshme.

Unë edhe kur kam qenë në policinë e shtetit, analizën me statistika e kam urryer. Si person, edhe si drejtues policie. Dhe kam kritikuar dhe vazhdoj të kritikoj analizën me statistika, sepse shpeshherë një vrasje që ka dy viktima, policia e konsideron një vrasje. Shpeshherë ndodh që policia kur në një vendngjarje vritet një person dhe plagosen dy të tjera dhe këto dy të tjerët e humbin jetën në spital, nuk quhen vrasje. Nuk i regjistrojnë vrasje. Pra kjo është loja me statistikat. Unë nuk e pëlqej këtë. Unë pëlqej të them që vitet e fundit vrasjet nuk janë më vrasje, janë atentate. Janë atentate të mirëorganizuara me grup të strukturuar kriminal, qoftë për larje hesapesh, qoftë për ëh konflikte të zonave të influencës në fushën e krimit të organizuar. Dhe kjo quhet niveli më i lartë i organizimit të krimit. Kur grupet e strukturuar paguajnë vrasës me pagesë, me detyra konkrete, me misione të cilat kanë të përcaktuar edhe arsyet përse dhe motivin përse do vritet, do vritet për llogari të këtij apo të atij grupi kriminal, dhe detyra të përcaktuara kush do të jenë killerat, kush do të jetë vëzhguesi, kush do të jetë transportuesi, kush do të jetë personi që do të djegë makinën dhe kush do të jetë personi që do të djegë automatikun.

 

Lini një Përgjigje