
I ftuar në podcastin “TëPashoq” në kanalin në “Youtube” të Pamfletit, politologu dhe analisti Fitim Zekthi tregoi përse Shqipëria është ende pa një ambasador amerikan dhe se kur mund të kemi një të tillë në Tiranë.
Në analizën e tij, Zekthi shprehet se mungesa e një ambasadori kishte dy arsye, e para ajo e administratë Biden u pengua nga Republikanët. Ndërsa arsyeja e dytë, ajo e administratës Trump, vjen si shkak i humbjes së interesit amerikan për Shqipërinë.
Sa i takon kohës se kur mund të kemi një ambasador amerikan në vendin tonë, Zekthi nuk shfaqet optimist së paku edhe për dy vitet e ardhshme.
“Ambasadori amerikan në Shqipëri, që nga largimi i Yuri Kim para dy vitesh, nuk ka ardhur, në radhë të parë për shkak të konfliktit të thellë politik në SHBA. Deri në janar, nuk erdhi për shkak të këtij konflikti të thellë politik në SHBA. Në SHBA, Partia Republikane zhvilloi një luftë të fuqishme kundër presidentit Biden. Senati amerikan u bllokua dhe nuk kalonin në procedurat e miratimit dhjetëra kandidatura, për shkak të agjendës politike dhe ideologjike të presidentit Biden. Ata nuk e pranonin dot agjendën e tij, sidomos çështjet e abortit dhe të komunitetit LGBT, dhe thonin se nuk do ta lejonin këtë gjë. Jo vetëm që ndaluan emërimin e ambasadorit për Shqipërinë, por edhe gjeneralët e lartë u bllokuan për shkak të kësaj agjende. Tani kjo çështje është zgjidhur; Senati ka fuqinë për të miratuar një ambasador dhe, po të dojë, e bën që nesër. Por, mesa duket, nuk e ka interesin dhe nuk e ka mendjen tani këtu. Tani jemi në këtë fazë dhe besoj se për një kohë të gjatë do të jemi pa ambasador. Mund të vazhdojë kështu edhe për një vit ose dy të tjerë. Ka një tërheqje të SHBA-së dhe duhet ta kuptojmë këtë gjë. Ata që pretendojnë se SHBA-ja do të vijë të bëjë “namin e zi” e kanë gabim; ajo nuk do të bëjë asgjë, por do të flasë vetëm në përgjithësi”, tha Zekthi.
Lini një Përgjigje