TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet25 Janar 2024, 08:05

Shpërthimi i fruthit në Shqipëri, Eugena Tomini tregon shenja tek fëmijët: Shfaqja e pikëzimit vjen 4-5 ditë

Shkruar nga Pamfleti
Shpërthimi i fruthit në Shqipëri, Eugena Tomini tregon shenja tek
Eugena Tomini

Drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik, Eugena Tomini, është shprehur se fëmijët që preken nga Fruthi mbushen me pika të kuqe nga koka te këmbët.

Komentet Tomini i bëri në emisionin “Good Morning Albanians”, ku tha se shfaqja e pikëzimit vjen 4-5 ditë pas prekjes nga fruthi.

Ajo tha gjithashtu se disa nga shenjat e tjera të fruthit janë edhe temperatura e lartë, kolla, skuqja e syve, etj.

“Nëse unë jam me fruth, duhet të gjurmohen të gjitha kontaktet me persona të tjerë. Nuk kemi vetëm shfaqjen e shenjave të sipërme respiratorë që janë skuqja dhe lotimi i syve, kolla prezente, temperatura e lartë.

Nga dita e katërt apo e pestë shfaqet ai rashi apo ai pikëzimi në lëkurë që është nga koka deri te këmbët dhe i gjithë trupi pikëzohet në këtë lloj mënyre. Në 4-5 ditët e para nuk dallohet dhe diagnoza diferenciale apo të dyshosh që ke Fruth duhet të dali Rashi me shenjat në lëkurë.”, tha Tomini.

Në vendin tonë  ditën e djeshme është konfirmuar prania e fruthit. ISHP bëjnë me dije se 11 fëmijë janë prekur nga fruthi. Rastet me fruth ndodhen në Tiranë dhe në Durrës.

6 prej rasteve me fruth në vendin tonë kanë lidhje familjare dhe janë të pavaksinuar. Po ashtu, bëhet e ditur se të infektuarit janë fëmijë të moshës nga 1 deri në 13 vjeç. Mësohet se vitet e fundit, llogariten rreth 13 mijë fëmijë të moshës 0-5 vjeç të pavaksinuar.

Të njëjtat burime bëjnë me dije se gjendja shëndetësore e fëmijëve të prekur është e mirë. Nga institucionet ende nuk ka një deklaratë zyrtare.

Futja e fruthit në vendin tonë vjen pas alarmit të dhënë nga Organizata Botërore e Shëndetësisë se në gjithë Europën po rriten rastet me fruth. OBSH u bën thirrje vendeve që të kryejnë urgjentisht fushata vaksinimi.

Çfarë është fruthi?

Fruthi është një infeksion viral i sistemit respirator. Fruthi është një nga sëmundjet më ngjitëse në botë. Fruthi përhapet nga kollitja dhe teshtitja, kontakti i afërt ose i drejtpërdrejtë me sekrecionet e hundës ose të fytit, 4 ditë para dhe pas skuqjes.. Virusi mbetet aktiv dhe ngjitës në ajër ose në sipërfaqet e infektuara deri në 2 orë.

Virusi shkakton temperaturë të lartë, ethe, rrjedhje hundësh, kollë, sy të skuqur dhe të përlotur dhe njolla të vogla të bardha në mukozën që vesh zgavrën e gojës. Skuqje në fytyrë, trup, duar dhe këmbë.

eugena tomini fruthi shqipëri

Lini një Përgjigje