TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet17 Janar 2024, 16:28

SHBA strategji për të fundosur të korruptuarit, ngre laborator modern në SPAK për zbërthimin e telefonave; alarmohet politika

Shkruar nga Pamfleti
SHBA strategji për të fundosur të korruptuarit, ngre laborator
Prokuroria e Posaçme

Departamenti i Drejtësisë njofton se ka sjellë pajisje të fjalës së fundit në SPAK për të modernizuar laboratorin e kibernetikës...

Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë dërguar një tjetër mesazh politikës, por edhe botës së krimit, se nuk ka më kthim pas për të korruptuarit dhe bandat.

SPAK ka filluar të godasë si korrupsionin ashtu edhe krimin. Kjo falë dhe mbështetjes që vjen nga përtej Atlantikut, pasi pavarësisht deklaratave të Ramës se ishte PS që e bëri reformën në drejtësi, SPAK është prodhim amerikan.

Departamenti i Drejtësisë ka publikuar një njoftim, ku bën me dije se SHBA ka modernizuar laboratorin kibernetik të SPAK dhe BKH. Në Prokurorinë e Posaçme është krijuar një laborator ku bëhet zbërthimi i pajisjeve elektronike, pra telefonave, kompjuterëve, tabletave, etj.

Nëse shihen lëvizjet e SPAK këto kohë, gjithmonë kanë bërë sekuestrime telefonash dhe falë tyre kanë zbuluar informacione “bombë”.

Por situata do të komplikohet akoma dhe më shumë, sepse amerikanët kanë sjellë të tjera pajisje dhe kjo do të thotë se ekspertiza mund të kryhet shumë më shpejt.

Në Dhjetor 2023, Byroja Ndërkombëtare e Narkotikëve dhe Çështjeve të Zbatimit të Ligjit të Departamentit të Shtetit të SHBA-së (INL) së bashku me ICITAP në Tiranë, nënshkruan një marrëveshje për dhurimin dhe transferimin e katër stacioneve mjekoligjore të ekspertimeve kompjuterike e dixhitale, të projektuara posaçërisht për Qeverinë e Shqipërisë. (SPAK dhe BKH). Këto pajisje do të rrisin aftësinë e Laboratorit të Forenzikës Dixhitale SPAK për të shqyrtuar dhe nxjerrë provat dixhitale”, njofton Departamenti i Drejtësisë.

Më tej theksohet se gjatë vitit 2023, ICITAP lehtësoi dhe ofroi trajnime kibernetike në Analizën e Mediave Sociale, Monedhat Dixhitale dhe Forenzikën Dixhitale të Avancuar Mobile. Ndërkohë gjatë këtij viti do të ofrohen trajnime për zbërthimin e kompjuterëve dhe rrjeteve të internetit.

Po ashtu bëhet me dije se në SPAK, është vendosur një ekspert i lartë i ICITAP. Më tej theksohet se falë ndihmës së amerikanëve, do të shkurtohet koha e transferimit të të dhënave, pasi është një proces që aktualisht merr shumë kohë.

Pra duket se në SPAK është ndërtuar një laborator kibernetik i fjalës së fundit dhe falë tij, do të zbërthehen telefonat dhe pajisjet e pushtetarëve apo bosëve të krimit, pasi dihet që pazaret bëhen përmes celularëve. /Pamfleti

Lini një Përgjigje