
Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka thirrur në 23 janar ish-kryeministrin Sali Berisha dhe në 25 janar dhëndrin e tij, Jamarbër Malltezi për t'i marrë në pyetje në lidhje me privatizimin e ish-kompleksit Partizani.
SPAK kishte kërkuar që Malltezi të paraqitej sot për t’u marrë në pyetje, ndërsa Berisha do të duhej të paraqitej nesër, por kjo u kundërshtua nga avokatët.
Ditën e djeshme përmes një shkrese avokatët kërkuan shtyrjen e marrjes në pyetje, kërkesë kjo që u pranua nga SPAK.
Berisha mbahet i izoluar në banesë që prej datës 30 dhjetor, pasi gjykata caktoi masën e arrestit ne shtëpi me kërkesë të prokurorisë se posaçme.
Ndaj Sali Berishës dhe Jamarbër Malltezit është caktuar masa e sigurisë “Arrest shtëpie” dhe po hetohen nga SPAK për privatizimin e ish-kompleksit “Partizani”.
Sipas organit të akuzës, ish kryeministri Berisha ka konsumuar akuzën e korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetëror ose të zgjedhurve vendorë, kryer në bashkëpunim. Vepër kjo e ngritur nga SPAK pas dyshimeve se Berisha kur mbante detyrën e kryeministrit ka kryer veprime duke miratuar ligje apo akte nënligjore me qëllim që në procesin e privatizimit të ish-kompleksit “Partizani”, të paraqiteshin 5 familjet e njohura pronare, ku fitues ndër të tjerë ishte Jamarbër Malltezi.
Gjithashtu prokuroria thotë se Berisha në cilësinë e kryeministrit ka vënë në dispozicion të Malltezit, struktura të ndryshme të administratës shtetërore me qëllim realizimin e procesit të privatizimit.
Të gjitha këto procedura të ndjekura nga Malltezi, tashmë i vënë nën akuzë për “korrupsion pasiv” dhe “pastrim parash”, sipas SPAK janë kryer me qëllim privatizimin e ish-kompleksit, e më pas ndërrimin e destinacionit të tij për përfitim material, gjë që ka çuar në ndërtimin e një kompleksi pallatesh. Për ndërtimin e këtij të fundit, SPAK shprehet se ka përfituar në mënyrë të drejtëpërdrejtë dhëndri i Berishës, Jamarbër Malltezi.
Lini një Përgjigje