Tirana po përgatitet për ndeshjen e shumëpritur mes Shqipërisë dhe Serbisë, e cila do të luhet të shtunën e 7 qershorit, ora 20:45.
Ndërkohë, ka nisur çmontimi i bizneseve në zonën e stadiumit “Arena Kombëtare”, aty ku do të luhet ky takim.
Kjo është hera e dytë që diçka e tillë ndodh për një ndeshje futbolli, pas finales së Conference League në vitin 2022.
UEFA dhe policia këtë ndeshje e konsiderojnë të një rrezikshmërie shumë të lartë edhe pse nuk do të ketë tifozë udhëtues.
Ndërkohë Kombëtarja shqiptare e futbollit është grumbulluar prej disa ditësh në vendin tonë duke kryer stërvitje me lojtarët që kishin mbaruar kampionatet.
Kuqezinjtë janë ndarë mes Durrësit dhe Tiranës këto ditë të para të përgatitjeve, teksa sot ishte stërvitja e parë zyrtare e kuqezinjve ku grupi duhej të ishte më i plotësuar.
Megjithatë, për shkak të udhëtimeve, edhe sot grupi i kuqezinjve nuk ka qenë i plotë dhe për këtë arsye, trajneri ka kërkuar nga sektori teknik që të afrojnë lojtarë të tjerë për të plotësuar radhët për stërvitje,
Në stërvitjen e sotme, të pranishëm si ”ekstra” ishin tre futbollistë nga klubet e Superiores.
Rimal Haxhiu dhe Akileu Ndreca nga Tirana si dhe Arli Përgjoni nga Bylisi, ishin futbollistët e grumbulluar për të plotësuar radhët e kuqezinjve në stërvitjen e sotme, në mënyrë që të kishte numrat e domosdoshëm të futbollistëve për të kryer përgatitjet taktike sipas udhëzimeve të trajnerit brazilian.
Lini një Përgjigje