TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet22 Nëntor 2025, 08:40

Seanca për masën e sigurisë, zv.Kryeministrja Balluku paraqitet në GJKKO

Shkruar nga Pamfleti

Seanca për masën e sigurisë, zv.Kryeministrja Balluku paraqitet

Zv.Kryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku, u paraqit paraditen e sotme në GJKKO, atje ku do të zhvillohet seanca e vlerësimit të masës së sigurisë.

Bashkë me Ballukun, në GJKKO, janë paraqitur edhe Gentian Gjyli dhe Erald Elezi.

GJKKO thekson se zyrtarët janë pjesë e procedimit penal nr. 136/2025 të SPAK-ut, që lidhet me procedurat e tenderave për tunelin e Llogarasë dhe Unazën e Madhe të Tiranës.

Gjykata e Posaçme vendosi dy ditë më parë masën e pezullimit nga detyra për Belinda Ballukun si dhe i ndaloi daljen jashtë vendit. Ndërsa për Gentian Gjylin, drejtor i ARRSH dhe Erald Elezin, administrator i KESH, u vendos masa e sigurisë “arrest shtëpie”.

Në rastin e zv.Kryeministres Balluku, Qeveria iu drejtua Gjykatës Kushtetuese, duke kërkuar interpretimin lidhur me masën e SPAK, që konsiderohet si një ndërhyrje e hapur në pushtetin e ekzekutivit nga një tjetër pushtet, që është gjyqësori.

Në kërkesën e Kryeministrisë drejtuar Kushtetueses thuhet se kërkohet shqyrtimi i konfliktit të kompetencës ndërmjet Kryeministrit dhe Këshillit të Ministrave dhe Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), lidhur me pezullimin e ushtrimit të detyrës së anëtarit të Këshillit të Ministrave.

Qeveria kërkon shfuqizimin e vendimit nr.118, datë 19.11.2025, të GJKKO-së, për pjesën që ka disponuar vendosjen e masës ndaluese, si dhe pezullimin e vendimit të mësipërm të GJKKO-së, deri në përfundimin e gjykimit të kësaj kërkese nga Gjykata Kushtetuese.

Qeveria në argumentet e saj i referohet të nenit 103 të Kushtetutës, ku shprehimisht thuhet: 

1. Ministër mund të caktohet kushdo që ka cilësitë për deputet.

2. Ministri nuk mund të ushtrojë asnjë veprimtari tjetër shtetërore dhe as të jetë drejtues ose anëtar i organeve të shoqërive fitimprurëse.

3. Anëtarët e Këshillit të Ministrave gëzojnë imunitetin e deputetit.

Lini një Përgjigje