
Gazetarja Klodiana Lala ka zbuluar detaje të reja mbi arrestimin e Safet Bajrit dhe akuzat që rëndojnë mbi të. Sipas saj, Prokuroria e Posaçme e ka arrestuar Bajrin nën dyshimin për përfshirje në një grup të strukturuar kriminal dhe për vrasjen e Fatbardh Licit në Shkodër.
Lala tregoi se arrestimi u realizua përmes një skeme të mirëorganizuar nga policia, pasi Bajri u thirr për të dhënë një mostër ADN-je.
Po ashtu, ajo tha se ky arrestim lidhet me një sërë ngjarjesh të rënda kriminale, përfshirë hakmarrjet mes grupeve rivale.
“Prokuroria e posaçme e ka arrestuar Safet Bajrin në dyshimet për veprën penale të vrasjes dhe grupit të strukturuar kriminal. Bashkë me të janë firmosur edhe dy urdhër-arresti të tjera, që kanë të bëjnë pikërisht me Behar Bajrin, kushëririn e tij, dhe për Asmer Bilalin, që është konsideruar historikisht si krahu i armatosur ose ai që konsiderohet si grupi i armatosur i klanit kriminal apo grupit kriminal Bajri.
Ata dyshohen për një vrasje të kryer në gusht të vitit 2018 në Shkodër. Bëhet fjalë për Fatbardh Licin, 53 vjeç, i cili u ekzekutua në një lokal në lagjen Kiras në Shkodër, në kohën kur gjendej duke konsumuar një kafe bashkë me dy miq të tij. Për fat të mirë, ata i mbijetuan atentatit mafioz që tronditi mbarë Shkodrën, sepse ishte një nga ngjarjet më të rënda të klasifikuara si tronditëse për qytetin.
Safet Bajrit, për t'u rikthyer pak, ka pasur shumë diskutime sa i përket mënyrës së arrestimit. Duhet të kemi parasysh që prokuroria e posaçme dhe policia e shtetit i ngritën një kurth. Para se t'i vinin prangat dhe t’i komunikonin masën e sigurisë "arrest në burg" për vrasje, gjykata e posaçme, konkretisht gjyqtari Erion Çela, kishte firmosur një vendim që urdhëronte policinë ta ekzekutonte atë, duke i kërkuar ta shoqëronte Safet Bajrin me qëllim që t’i merrej një profil ADN-je. Ky profil ADN-je do të krahasohej me një tjetër profil, i cili dyshohej se i përkiste Safet Bajrit dhe që ishte zbuluar në një ngjarje tjetër të rëndë kriminale në Shkodër”, tha ajo në emisionin "Të Paekspozuarit".
Më tej ajo shton se në momentin që forcat e policisë shkuan në banesën e Safet Bajrit, ai nuk u gjet, kjo bëri që aksioni të ketë problematika dhe në një farë mënyre u konsiderua i dështuar, sepse nga të gjitha urdhrat e arrestit të firmosura, të kërkuarit nuk u kapën.
“Gjithashtu, mungesa e një karrotreci për të marrë një makinë të blinduar ishte një nga vështirësitë që u hasën. Pas këtij momenti, Safet Bajri doli në një media kombëtare dhe mbajti qëndrimin e tij në lidhje me akuzat.
Prokuroria e posaçme i dërgoi një fletëthirrje përmes oficerëve të Byrosë Kombëtare të Hetimit, duke i kërkuar të paraqitej për të dhënë kampionin e ADN-së dhe shpjegime në lidhje me ngjarjen. Mesa duket, ai ishte i bindur se ndaj tij nuk kishte një masë sigurie.
Në një moment ai u shpreh se nuk mund të vinte në Tiranë pranë Drejtorisë së Policisë, sepse nuk kishte automjet të blinduar, pasi ato ishin sekuestruar dhe ndihej i rrezikuar për jetën. Policia bisedoi me avokatin e tij dhe u vendos që takimi të zhvillohej në Drejtorinë e Policisë së Shkodrës.
Në momentin që Safet Bajri mbërriti në polici, i shoqëruar nga avokati i tij, Sokol Tahiraj, dhe disa persona të tjerë që filmonin momentin e hyrjes së tij, ai konstatoi se aty nuk kishte punonjës policie. Avokati i tij kontaktoi policinë dhe ata i thanë që brenda pak minutash do të mbërrinin, për shkak të vonesave në rrugë nga Tirana në Shkodër.
Pak minuta më vonë, policia mbërriti, forcat RENEA ndërhynë të armatosura dhe të maskuara, duke kryer arrestimin e Safet Bajrit. Ai u shoqërua menjëherë në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, ku më pas u njoh me masën e arrestit që kishte ndaj tij në mungesë, akuzat përkatëse dhe motivet e tyre”, u shpreh Lala.
Lala bëri të ditur se zyrtarisht, Safet Bajri, Behar Bajri dhe Asmer Bilali akuzohen për krijimin e një grupi të strukturuar kriminal dhe organizimin e vrasjes së Fatbardh Licit, vëllait të Mustafa Licit, i njohur si Tata, dhe xhaxhait të Ibrahim Licit.
“Ibrahim Lici është një ndër njerëzit më të shumëkërkuar nga drejtësia shqiptare për momentin. Sipas prokurorisë së posaçme dhe autoriteteve ligjzbatuese, kjo ngjarje është kryer në shenjë hakmarrjeje për vrasjen e Boran Bërçanës, një ish-punonjës policie, ngjarje e cila ndodhi më pak se tre javë para vrasjes së Fatbardh Licit.
Boran Bërçana u vra në korrik të vitit 2018 brenda automjetit të tij, bashkë me partneren e tij, Silvin Doçi. Sipas prokurorisë së posaçme, grupi i Bajrit dyshonte se organizatori dhe ekzekutori i vrasjes së Boran Bërçanës dhe partneres së tij ishte Ibrahim Lici, dhe në shenjë hakmarrjeje ndodhi edhe vrasja e Fatbardh Licit.
Ndërkohë, në janar të vitit 2018, në Shkodër ndodhi një nga ngjarjet më të rënda, e cila u konsiderua edhe si një akt i mundshëm terrorist. Në tregun e qytetit, në automjetin e Lulëzim Kullës, u vendos një sasi e madhe tritoli me qëllim për ta ekzekutuar atë. Kulla mbeti i plagosur, por po ashtu u plagosën edhe disa kalimtarë të rastësishëm.
Pas kësaj ngjarjeje, fillimisht familjet Bajri dhe Lici u pajtuan mes tyre dhe u bënë kumbari sipas dokëve dhe Kanunit. Megjithatë, në momentin që u vra Boran Bërçana, konflikti rifilloi dhe tashmë është zbuluar nga provat që pretendon prokuroria e posaçme. Këto prova rëndojnë mbi Safet Bajrin, Behar Bajrin dhe Asmer Bilalin për akuzën e vrasjes dhe pjesëmarrjen në një grup të strukturuar kriminal”, përfundoi ajo.
Lini një Përgjigje