
Seanca gjyqësore për ish-kryebashkiakun e Kukësit, i dënuar për korrupsion pasiv për skandalin seksual në zyrën e tij, është caktuar për në datën 23 Dhjetor 2024, ora 11:00.
Ish-zyrtari vendor socialist kërkon lirimin nga burgu për shkak të problemeve të rënda shëndetësore, teksa qëndron i izoluar prej verës së vitit të kaluar.
Seanca e ardhshme në Gjykatën e Elbasanit për Safet Gjicin, do mbahet me objekt "shqyrtimi i akt ekspertimit mjeko-ligjor."
Ekspertet mjeko-ligjorë bënë betimin para gjykatës dhe morën detyrat për vlerësimin e gjendjes shëndetësore të Safet Gjicit.
Ndër detyrat që do ju caktohen janë: të përcaktohet gjendja shëndetësore, të vlerësojnë se a mund ta marri trajtimin e nevojshëm në burg dhe a i rrezikohet jeta nga qëndrimi në izolim?
Në seancën e ardhshme ekspertët do të japin vlerësimin e tyre në 23 dhjetor. Sipas avokatit Markeljan Jançe, ish kryebashkiaku vuan nga probleme të sistemit kardiovaskular, zmadhim të aortës dhe diabet të formës së rënduar.
Gjici vuan dënimit për korrupsion pasiv dhe shpërdorim detyre. Në kërkesën e tij drejtuar gjykatëses Suela Lika, avokati mbrojtës u bazua në nenin 59/a pika C të Kodit Penal, sipas të cilit një i dënuar që i ka mbetur më pak se 2 vite heqje lirie mund të qëndrojë në shtëpi për shkak të gjendjes shëndetësore.
Safet Gjici i dënuar me 3 vite burgim ka ende për të shlyer 1 vit e 2 muaj dënim të mbetur, ndërkohë aktualisht ai gjendet i hospitalizuar në një spital privat.
Sipas avokatit, problematikat Gjici i ka vuajtur edhe më herët, por gjendja e rënduar psikologjike në burg ka rënduar edhe gjendjen e tij shëndetësore.
Lini një Përgjigje