Konfindustria i ka kërkuar qeverisë shqiptare të ndërhyjë me masa të menjëhershme për përballimin e krizës së karburanteve, e cila sipas saj po thellohet dhe ka një afat të paqartë, si pasojë e zhvillimeve në Gjirin Persik.
Në reagimin e saj, organizata thekson nevojën për hartimin dhe zbatimin urgjent të një pakete fiskale lehtësuese për të frenuar rritjen e çmimeve në treg.
Sipas Konfindustrisë, paketa e parë antikrizë duhet të mbështetet në dy shtylla kryesore. Së pari, të gjitha të ardhurat shtesë në buxhet nga TVSH-ja mbi çmimet e rritura të karburanteve, krahasuar me periudhën para krizës, duhet t’u rikthehen drejtpërdrejt qytetarëve dhe bizneseve përmes uljes së çmimit final.
Së dyti, propozohet ulja e taksës së qarkullimit të automjeteve deri në nivelin e rritjes së të ardhurave nga TVSH-ja e karburanteve.
Një tjetër masë e konsideruar e domosdoshme është krijimi i një mekanizmi institucional për vendosjen e një çmimi tavan në shitjen me pakicë të karburanteve, me qëllim që ulja e barrës fiskale të mos përkthehet vetëm në rritje fitimesh për tregtarët në një treg të perceptuar si oligopol.
Aktualisht, çmimet e karburanteve në tregun vendas kanë arritur deri në 200 lekë për litër dhe pritet të vijojnë rritjen. Konfindustria paralajmëron se kjo situatë mund të sjellë pasoja të rënda për ekonominë, industrinë dhe qytetarët.
"Konfindustria, duke marrë shkak nga thellimi dhe zgjatja e papërcaktuar në kohë e krizës së karburanteve për shkak të luftës në Gjirin Persik, kërkon nga qeveria ndërtimin dhe zbatimin e shpejtë të paketës fiskale lehtësuese të çmimeve në treg. Konfindustria kërkon, që paketa e parë fiskale antikrizë të përfshijë të paktën dy shtylla: Së pari, gjithë shtesa e të ardhurave në buxhet nga zbatimi i TVSH-së mbi çmimet e rritura të karburanteve krahësimisht me kohën e parakrizës, të rikthehet drejpërdrejtë për qytetarët dhe bizneset në çmimin fundor. Së dyti, të ulet taksa e qarkullimit të automjeteve deri në masën e rritjes së të ardhurave absolute në buxhet nga TVSh-ja e karburanteve krahësimisht me çmimet në kohën parakrizë.
Masa e tretë e domosdoshme shoqëruese e paketës është ndërtimi i mekanizmit institucional për përcaktimin e çmimit tavan të shitjes me pakicë të karburanteve me qëllim që ulja e peshës fiskale të mos përfundojë vetëm në shtimin e fitimeve për tregëtarët oligopol. Çmimet me pakicë në treg kanë kapur kufijtë e 200 lekë/litër dhe kahu është për rritje të mëtejshme, që mund të krijojë pasoja shkatërruese për ekonominë, industritë dhe qytetarët. Shqipëria ka çmimet më të larta të karburanteve në rajon dhe rritja e mëtejshme do rrezikonte një krizë ekonomike të plotë dhe me pasoja të rënda shumëpërmasore, deri në qëndrueshmërinë politike dhe rendin kushtetues të vendit.", thuhet në njoftim.
Lini një Përgjigje