
Pas një dite të mbushur me deklarata, akuza të ndërsjellat dhe tentativa për të hequr përgjegjësinë nga vetja, ngjarja u kthye sërish në pikën e nisjes. Polica, Prokuroria dhe Gjykata krijuan një rreth vicioz akuzash që aq sa hodhën dritë mbi ngjarjen edhe e komplikuan atë.
Ngjarja e rëndë e ndodhur të shtunën në qytetin e Pogradeci, ku si pasojë e dhunës së ushtruar nga Denis Meçe, mbeti viktimë 42-vjeçari Egli Proga, ka krijuar përveç dyshimeve për tentativë fshehje të krimit nga organet kompetente, edhe një rreth vicioz akuzash mes institucioneve, Polici-Prokurori-Gjykatë.
Pas 3 ditësh mbushur me deklarata kontradiktore dhe aludime se ngjarja u tentua të fshihej nga policia, erdhi reagimi i parë nga Drejtori i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku, në një tentativë për të hequr përgjegjësin nga vetja dhe institucioni që ai drejton, pasi çështja mori përmasa të mëdha.
Në një deklaratë për mediat, ai tha se akuzat se policia e shtetit ka tentuar të fshehë ngjarjen e rëndë në Pogradec, janë të pabaza. Teksa shtoi se reagimi i policisë ishte i menjëhershëm dhe veprimet e saj sollën arrestimin e autorit, gjë që do të binte në kontradiktë më vonë. Ai gjithashtu i ngeci “topin” Prokurorisë lidhur me zbutjen e akuzës, duke thënë se policia e referoi si “vrasje me dashje”. Ndërkohë që nuk harroi që të intimidonte mediat duke deklaruar se Policia e shtetit do të marrë hapa ligjor për dezinformomin e kësaj ngjarje.
“Aludimi se është tentuar të fshihet ngjarja është i pabazë dhe me asnjë provë apo fakt konkret. Në asnjë moment dhe asnjë rrethanë asnjë punonjës i policisë nuk ka tentuar të fshijë apo të minimizojë ngjarjen e rëndë. Policia ka shkuar menjëherë në ngjarje, janë sekuestruar kamerat, janë shoqëruar disa persona që ishin të pranishëm në momentin e ngjarjes janë kryer të gjitha veprimet me qëllim zbardhjen e ngjarjes. U identifikua dhe u arrestua autori së bashku me 3 shtetas të tjerë të cilët akuzohen për moskallëzim krimi. Baltosja e policisë së shtetit është jo vetëm e pabazuar por edhe e dënueshme ligjërisht e moralisht. Policia e shtetit do të marrë hapa ligjor për dezinformimin e kësaj ngjarje”, tha Drejtori i Policisë së Shtetit Rrumbullaku.
Menjëherë pas deklaratës së Rrumbullakut, kryeministri i vendit, Edi Rama në një tentativë të fshehtë për të mbuluar “paaftësin” e Rrumbullakut për t’i bërë ballë situatës, doli dhe mori në mbrojtje Policinë e Shtetit dhe Urgjencën, të cilat u akuzuan se treguan ngadalësi në veprime lidhur me ngjarjen.
Duke rënë në të njëjtin pellg deklaratash kontradiktore të policisë, vetë kryeministri deklaroi se autori u kap falë punës së efektive. Gjë që nga dosja e referuar e çështjes doli se nuk ishte e vërtetë, pasi thuhej se autori u vetëdorzua disa orë më vonë.
Në të njëjtën linjë si Rrumbullaku, Rama u sigurua që vetëm të shfajësonte Policinë dhe Urgjencën, duke ngecur çdo lloj faji te Prokuroria dhe Gjykata.
“Sot Policia e Shtetit dhe Urgjenca Kombëtare dhanë publikisht provat që hedhin poshtë agresionin e neveritshëm ndaj tyre lidhur me ngjarjen tragjike të Pogradecit, ku policia u akuzua pa asnjë bazë sikur tentoi të fshihte ngjarjen, ndërsa urgjenca sikur u vonua tejmase në dhënien e ndihmës për viktimën. Në fakt të gjitha provat tregojnë e dokumentuara, qoftë të operacionit policor e qoftë të sistemit elektronik të Urgjencës Kombëtare tregojnë, se Policia e arrestoi në kohë rekord autorin për ‘Vrasje me dashje’ dhe Urgjenca iu përgjigj në 7 minuta thirrjes për ndihmë!
‘Vrasja nga pakujdesia’ e ngritur si akuzë nga Prokuroria, e cila tingëllon e pakuptueshme për këdo që është njohur me dinamikën e kësaj ngjarjeje tragjike, nuk ka asnjë lidhje me Policinë e Shtetit apo me punonjësit e urgjencës, të cilët e kanë kryer detyrën me profesionalizëm dhe integritet të plotë ligjor e moral”, shkroi ndër të tjera kryeministri në platformën “X”.
Por saga e justifikimeve nuk do të mbaronte këtu. Gjykata e Korçës do të dilte menjëherë pas deklaratës së kryeministrit duke hequr përgjegjësit nga vetja dhe duke ia adresuar ato Prokurorisë.
Me anë të një reagimi zyrtar, Gjykata e Korçës deklaroi se ka qenë institucioni i akuzës që ka kualifikuar veprën si “vrasje nga pakujdesia”, duke ja hedhur topin kështu Prokurorisë. Më tej gjykata argumentoi se pranoi kërkesën e akuzës me idenë se ajo është e bazuar në fakte ligjore dhe prova.
“Pasi ka vlerësuar kërkesën e prokurorisë dhe përmbajtjen e akteve të veprimeve hetimore të kryera deri në këtë fazë të hetimit, gjykata ka vendosur pranimin e kërkesës, duke e vlerësuar atë si të bazuar në ligj dhe në prova”, thuhet në reagimin e gjykatës.
Ndodhur në kushtet kur të gjithë drejtuan gishtin nga Prokuroria, kjo e fundit doli dhe mohoi akuzat duke i kthyer ato sërish te Policia e Shtetit. Në reagimin e saj Prokuroria tha se akuza ‘vrasje nga pakujdesia” është ngritur në bazë të provave që janë përcjellë nga policia pranë Prokurorisë Korçë.
Duke hedhur poshtë kështu pretendimet e Rrumbullakut se policia e kishte cilësuar rastin si “vrasje me dashje”. Madje prokuroria shkoi më tej duke hedhur poshtë të gjithë pistën e ngritur nga Rama dhe Rrumbullaku, duke thënë se inspektori i policisë në vendngjarje nuk ka bërë në mënyrën e duhur dokumentimin e shkakut të vdekjes së 42-vjeçarit, gjë që më pas ka sjell një efekt zinxhir.
“Nga Prokuroria fillimisht është regjistruar procedimi për veprën penale “Vrasje nga pakujdesia”, parashikuar nga neni 85 i Kodit Penal, kjo edhe në referim të praktikës gjyqësore në raste të ngjashme, duke vlerësuar që nga materialet e referuara nga policia”, thuhej ndër të tjera në reagimin e policisë.
Ndërkohë që pak minuta më pas Prokuroria e Korçës njoftoi se kishte marrë nën hetim inspektorin e Policisë Artur Lilo, i dyshuar për veprën penale “Shpërdorimi i Detyrës”.
“Nuk mori masa për dokumentimin e ngjarjes ku humbi jetën shtetasi E.P. Prokuroria e Korçës merr nën hetim Inspektorin për ‘Shpërdorim Detyre’ Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë merr nën hetim shtetasin A.L. i dyshuar për veprën penale “Shpërdorimi i Detyrës” parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal”, thuhej ndër të tjera në njoftimin e Prokurorisë.
Pas një dite të mbushur me deklarata, akuza të ndërsjellat dhe tentativa për të hequr përgjegjësinë nga vetja, ngjarja u kthye sërish në pikën e nisjes. Polica, Prokuroria dhe Gjykata krijuan një rreth vicioz akuzash që aq sa hodhën dritë mbi ngjarjen edhe e komplikuan atë. Në një kohë kur institucionet e shtetit që ai drejton dështuan nga fillimi në fund, kryeministri Rama i nxori inatin mediave duke i quajtur Sharlatanët e të paudhë që sipas tij, krijuan një çorbë lidhur me rastin.
Epo siç ndodh rëndomtë në këtë vend, e ashtu siç ka ndodhur edhe në raste të mëparshme, faji mbeti sërish jetim!/Pamfleti
Lini një Përgjigje