
“Kurrë mos harro” është megaoperacioni që zbardhi 19 ngjarje kriminale dhe çoi në pranga 12 persona, 4 në kërkim që akuzohen për 6 vrasje, 5 shpërthime me tritol, grabitje me dhunë dhe 3 tentativa për kryerje vrasjesh. Policia e Shtetit i zbardhi këto krime falë të penduarit, Artan Tafani, 39-vjeçari anëtar i grupit të Laert Haxhiut, kundërshtar i Aldo Bares.
Ish-kryeprokurorja e Tiranës Elisabeta Imeraj, tha se zbardhja e krimeve përmes të penduarve është një metodë e mirë. Nga ana tjetër zbardhja e ngjarjeve të fundit sipas Imerajt është një element që dëshmon vullnetin e mirë të organeve kompetente për të hetuar.
“Përmes të proceduarit që kanë pasur rolin e tyre, kjo është bërë një metodikë e mirë në zbardhjen e ngjarjeve të vjetra. Nuk duhet të mbetet vetëm në dëshminë e të penduarit. Nuk mjafton vetëm dëshmia duhet të plotësohen disa elementë. Janë evidentuar dhe zbuluar disa autorë për kryerjen e disa veprave penale. Është një element i mirë që dëshmon vullnetin e mirë të organeve për të hetuar.
Ka hetime të muajve të fundit që janë zbardhur përmes të penduarit të drejtësisë. Kjo është gjë e mirë nga njëra anë sepse dëshmon vullnet që organet e hetimit të kalojnë përtej asaj dëshmisë e të shkojnë te prova por edhe për të punuar dhe me personin që është i gatshëm të ndihmojë edhe për shkak të disa lehtësirave”, u shpreh ajo.
Megjithatë, Imeraj u shpreh se nuk mund të merret si provë vetë-deklarimi, por duhet të mblidhen prova në bazë të dëshmisë.
“Nuk mund të merret si provë vetëm dëshmia. Duhet të jenë mbështetur në disa prova të tjera. Dyshim i arsyeshëm i bazuar në prova. Kjo analizohet hap pas hapi duke pasur parasysh atë që i penduari tregon. Nuk besoj që prokuroria e Elbasanit të mos e ketë zbatuar një element të tillë”, vijoi ish-kryeprokurorja.
Sa i përket 19 ngjarjeve kriminale të zbardhura pas dëshmisë së ushtarit të Laert Haxhiut ajo u shpreh se duhet parë roli që ka pasur i penduari në këto ngjarje kriminale. Nëse ai ka qenë i përfshirë në mënyrë të drejtpërdrejtë në këtë ngjarje e bën më të lehtë për organet ligjzbatuese që t’i zbardhë.
“Duhen parë dy elementë. Çfarë roli pa pasur i penduari në këto ngjarje. I përfshirë direkt apo përmes personave të tjerë. Në rastin e parë rrethanat e tregimit të ngjarjeve janë direkte dhe organi i akuzës e ka më të lehtë të gjejë prova. Në rastin e dytë është më e rrezikshme. Unë do t'i mëshoja faktit që të linim të lirë një person që nuk kemi prova të mjaftueshme për ta futur në burg. Informacioni direkt mund të sigurohet pasi e ka dëgjuar nga bashkëpunëtorë të tjerë. Nëse është i përfshirë në mënyrë të drejtpërdrejt e ka më të lehtë të zbardhë ngjarjen dhe e ndihmon më shumë prokurorinë ta zbardhë. Organet e hetimit shkojnë direkt të marrin provën. Institucioneve u takon që të ndjekin në vijimësi pjesën e kriminalitetit që të mos arrijmë te vrasja. Ajo që u prezantua nga policia dhe prokuroria dëshmon se ata janë të gatshëm për të punuar”, vijon Imeraj.
Imeraj foli dhe për sigurinë e një të penduari duke theksuar se ka raste që për ta mbrojtur transferohet edhe jashtë shtetit dhe i ndërrohet identiteti.
“Siguria e mbrojtjes për një të penduar shkon deri në shkallën e zhvendosjes së tyre jashtë republikës së Shqipërisë, apo dhe ndryshimi i emrit, identitetit. E vendos shteti shqiptar vendin që çon të penduarin në bazë të marrëveshjeve të veta që ka me shtetet. Janë disa elementë së bashku që të krijojnë tërësinë e gjësë”, përfundon ish-kryeprokurorja.
Lini një Përgjigje