Aksi rrugor Elbasan–Përrenjas u rihap sot rreth orës 12:00 për qarkullimin e automjeteve, pas më shumë se një jave i mbyllur si pasojë e një shembjeje në një prej segmenteve të tij.
Policia Rrugore ka marrë masa për monitorimin e qarkullimit në të gjithë aksin, me fokus të veçantë në zonën ku rruga pësoi dëmtime dhe ku lëvizja është devijuar.
Shërbimet e policisë janë vendosur përgjatë segmentit për të garantuar lëvizjen e lirë dhe të sigurt të automjeteve pas rihapjes së rrugës në mesditë. Autoritetet bëjnë apel që drejtuesit e mjeteve të tregojnë kujdes të shtuar, për shkak se në zonë vijojnë punimet.
Policia Rrugore kërkon nga drejtuesit të respektojnë sinjalistikën, të kontrollojnë shpejtësinë dhe të zbatojnë udhëzimet e efektivëve në terren dhe të Autoritetit Rrugor Shqiptar (ARRSH).
"Policia Rrugore e Elbasanit, me mbështetjen edhe të shërbimeve të Njësisë Operacionale të Drejtorisë së Policisë Rrugore, ka marrë masa për monitorimin e qarkullimit në aksin rrugor Elbasan–Përrenjas, me fokus të veçantë segmentin ku rruga pësoi shembje dhe për pasojë, qarkullimi tashmë është devijuar.
Shërbimet e Policisë Rrugore janë shtrirë në gjithë aksin rrugor, me qëllim marrjen e masave për lëvizjen e lirë të automjeteve pas rihapjes së tij mesditën e sotme.
Policia Rrugore apelon që drejtuesit e mjeteve, në këtë aks rrugor, për shkak se kryhen edhe punime, të tregojnë kujdes, të monitorojnë shpejtësinë, të respektojnë sinjalistikën rrugore, si dhe të ndjekin udhëzimet e shërbimeve të Policisë Rrugore dhe të ARRSH-së.
Drejtuesit e automjeteve, në rast nevoje, të informojnë në numrin 112", njofton policia.
Lini një Përgjigje