
Fredi Beleri qëndroi në makinën burg gjatë gjithë kohës kur u bë përcjellja për në banesën e fundit e gjyshes së tij dhe u lejua vetëm pak minuta në fund...
Kryebashkiaku i zgjedhur i Himarës, Fredi Beleri, ka mbërritur te varrezat e Himarës ku do të zhvillohet ceremonia mortore e gjyshes së tij.
I gjithë qyteti është blinduar nga forca të shumta policie dhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë. Dhjetëra efektivë do të jenë të pranishëm në ceremoninë mortore, për të garantuar sigurinë.
Fredi Beleri qëndroi në makinën burg gjatë gjithë kohës kur u bë përcjellja për në banesën e fundit e gjyshes së tij.
Edhe ceremoninë në kishë, kryebashkiaku i Himarës e ndoqi nga xhamat e makinës së burgut, ndërsa në momentin e varrimit të gjyshes që ndërroi jetë në moshën 98-vjeçare, Beleri u lejua për pak çaste të dilte jashtë.

Beleri kërkoi sot leje për të lënë qelinë për disa orë dhe për të përcjellë në banesën e fundit gjyshen e ndjerë.
Fredi Beleri u arrestua dy ditë para zgjedhjeve lokale të 14 majit, duke u bërë i vetmi kandidat në Shqipëri që zgjidhej në një post publik ndërsa ishte në qeli.
Prokuroria e akuzon Belerin për “korrupsion aktiv në zgjedhje”, duke pretenduar se ka provuar tej çdo dyshimi se ai i kishte ofruar një bashkëpunëtori të policisë 50 euro për çdo votë që mund të gjente në favor të tij si kryetar i Bashkisë së Himarës. Për të njëjtën vepër penale akuzohet edhe bashkëpunëtori i tij, Pandeli Kokaveshi.
Ky i fundit nuk është paraqitur në seanca, por ka kërkuar që procesi të vijojë në praninë e avokatit të tij.
Beleri ka bërë disa kërkesa për të dalë nga qelia me qëllim që të betohet dhe të marrë detyrën si kryetar Bashkie të Himarës, mirëpo ato janë refuzuar nga të gjitha shkallët e gjykatave.
Fredi Beleri u kap në flagrancë bashkë më bashkëpunëtorin e tij Pandeli Kokaveshi duke blerë vota. Beleri nuk ka mundur të marrë detyrën, pasi autoritetet gjyqësore nuk i dhanë leje për të kryer betimin. Ai së bashku me qeverinë greke e quajnë arrestimin si me prapavijë politike, madje Greqia ka kërcënuar se do vendosë veton për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Lini një Përgjigje