TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet29 Janar 2025, 17:42

"Rama si Vuçiç, vendi rrezikon regjim", Lubonja: Do gjejë forma për të manipuluar votën e diasporës

Shkruar nga Pamfleti

"Rama si Vuçiç, vendi rrezikon regjim", Lubonja: Do

Analisti Fatos Lubonja ka folur lidhur me situatën politike në vend. Teksa ka komentuar primaret në PD, Lubonja u shpreh se ata shërbejnë për të rritur konkurrencën brenda partisë.

Analisti shtoi se ekziston rreziku që të zgjidhen kandidatët që janë paracaktuar ose janë të preferuar të kryetarit të partisë.

“Primaret në parim janë të mira. Me gjithë problemet, primaret mund të shtojnë konkurrencën. Duhet të ishte një garë e rregullt. Zgjedhjet duhet të jenë të ndershme. Nëse primaret bëhen sa për sy e faqe për të gënjyer dynjanë, atëherë është problem. Primaret janë përvojë e mirë e duhet të hyjnë në të gjithë politikën shqiptare”, tha Lubonja për "News 24".

Ai u shpreh se vendi është në rrezik nga një regjim, ndërsa sugjeroi se më e mira do të ishte që opozita të shkonte e bashkuar në zgjedhje.

“Me sa kuptojmë situatën, qeveria teknike është lënë mënjanë. Ata kanë vendosur të hyjnë në zgjedhje, edhe pse nuk kemi qeveri teknike. Është disi dështim i opozitës. PD nuk ka fuqi. Po të shikosh situatën në Serbi, Vuçiç ka presion, sepse është regjim. Opozita duhet të bashkohet në një front. Shqiptarët në tërësi nuk bashkohen dot. Shqiptarët i bashkon i forti, kur e shohin se po fiton. Opozita po shkon ndaras në zgjedhje dhe ky është dështim i gjithë opozitës. Shqipëria është në rrezik nga një regjim. Qeveria është në rrugën e krimit, që prodhon krim dhe përfill çdo protestë, që qëndron. Është dështim edhe i drejtësisë”, u shpreh Lubonja.

Lidhur me votën e diasporës, Lubonja deklaroi se PS do të gjejë forma manipulimi edhe të votës të shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit.

“Për mua, autogol ka qenë edhe pranimi i reformës në drejtësi, ndërkohë që ke përballë një njeri, që të gjitha ristrukturimet që ka bërë, i ka bërë për të forcuar pushtetin e tij dhe jo demokracinë. Parimisht është e drejtë që të votojnë emigrantët, por PS do të gjejë forma për të manipuluar votën e emigrantëve, me patronazhimin, me ca që kanë marrë edhe kulla. Krimi i organizuar këto para i grumbullon në Perëndim dhe është interesuar që “parkimin e parasë” ta vazhdojë. SPAK mund të ketë dëshirë për të hetuar krimin elektoral, por nuk ka fuqi”, përfundoi ai.

Lini një Përgjigje