Bashkë me borxhin 370 milionë Euro për tenderët elektoral, të bërë pa pasur fonde të planifikuara në buxhet dhe të blerjes së energjisë nga HEC-et privatë, borxhi i brendshëm i fshehur shtohet edhe me 660 milionë Euro...
Përveç skandalit të zbuluar nga KLSH, që qeveria ka bërë 370 milionë Euro tenderë investimesh infrastrukturore e shërbimesh lokale elektorale, me fonde borxh të pa miratuar nga parlamenti në buxhet, qeveria ka krijuar një borxh tjetër me blerje të fshehta.
Bëhet fjalë për blerje energji elektrike nga 75 HEC-e private në pronësi të 30 kompanive energjetike shqiptare; nga të cilat, qeveria nëpërmjet KESH-it e OSHEE-s ka blerë 290 milionë Euro energji në vitet 2022-2023, por nuk po u paguan detyrimet.
Premtimi për likuidimin, ka qenë çdo 3 muaj pas blerjes së energjisë elektrike, por KESH, OSHEE dhe Ministria e Energjisë i kanë mashtruar, ndërsa pronarët e HEC-ve kanë nisur procedurat ligjore për të kërkuar dhe marrë detyrimet.
Sipas informacionit që “Pamfleti” ka siguruar nga Ministria e Financave, qeveria nuk ka asnjë mundësi financiare, për t’ua paguar këtë borxh të blerjes së energjisë as në vitet 2024-2025, ndërkohë që HEC-eve privatë, u kërkohet të vazhdojnë furnizimin e KESH e OSHEE.
Ky lajm që ata kanë marrë konfidencialisht nga zyrtarë të Ministrisë së Financave, ka detyruar pronarët e HEC-eve privatë t’i drejtohen kryeministrit Edi Rama; por në vend të zgjidhjes për shlyerjen e detyrimeve, indirekt kanë marrë një kërcënim zyrtar të pa dëgjuar deri sot.

Nëpërmjet Entit Rregullator të Energjisë, të drejtuar nga Petrit Ahmeti i aferës CEZ-DIA; qeveria ka nisur kërcënimin kolektiv ndaj HEC-eve, me fillim procedurash për t’u hequr licencat e prodhimit të energjisë, të gjithë atyre që do t’i kërkojnë borxhet qeverisë me procese gjyqësore.
Për këtë kërcënim, Babloku ka filluar të përdorë Bordin e Entit Rregullator Energjisë që është një “çetë e gatshme” në shërbim të qeverisë, për të miratuar vjedhjet e energjisë, çmimet dhe për të bërë bllokime, heqje e dhënie licencash sipas pazareve e urdhra të qeveritarëve.
Më 18 dhjetor 2023, Enti Rregullator i Energjisë Elektrike, ka publikuar 30 vendime, për nisjen procedurash të heqjes së licencave të 75 HEC-eve privatë, që janë pjesë e 30 kompanive prodhuese energjie, të cilat jo rastësisht, janë ato që po i kërkojnë borxhet qeverisë.
Ky skenar kërcënues, ka filluar 14 nëntor 2023, kur Bordi i Entit Enti Rregullator të Energjisë, me urdhër të Bablokut firmosi 30 vendimet në grup në një datë; por nuk i publikoi, si mjet presioni që pronarët e HEC-e të mos kërkonin borxhet nga qeveria, të vazhdojnë t’i japin energji veresi KESH-it e OSHEE-s dhe të heshtin.
Po sipas informacionit, Ministria e Energjisë, KESH dhe OSHEE, i kanë marrë 290 milionë Euro fond nga buxheti i shtetit për blerjen e energjisë nga HEC-et private, por nuk ua kanë shlyer e nuk dihet se ku kanë përfunduar./Pamfleti
Lini një Përgjigje