Ish prokurori, Ervin Karanxha ka folur në lidhje me aferën e Bankers Petroleum, ku akuzohet se kompania më e madhe e naftës në Shqipëri për 20 vite me radhë ka shmangur tatimet duke i shkaktuar miliona euro dëm buxhetit të shtetit.
Karanxha tha se kjo është një ndër çështjet më të forta të Prokurorisë në Shqipëri, teksa thekson se në këtë rast janë vjedhur paratë e shtetit shqiptar. Më tej, ai shtoi se ky është një dëm shumë i madh pasi është shfrytëzuar toka shqiptare për 20 vite dhe ne nuk kemi asnjë të ardhur në buxhetin e shtetit.
“Ish prokurori Adriatik Llalla për këtë çështje ka thënë që nuk e bën dot dhe e ka pushuar si çështje. Kjo është një ndër çështjet më të forta të Prokurorisë së Shqipërisë. Kjo është e para çëshje që janë vjedhur paratë e shtetit shqiptar. Në atë zonë ka pasur shumë naftëtarë dhe persona që kanë punuar me naftën që kanë sëmundje profesionale dhe ata nuk kanë marrë asnjë të ardhur nga pusi i naftës. Askush nuk është shpërblyer. Kjo është një fitore për shtetin pasi janë miliarda lekë që janë shpërdoruar. Dëmi i shtetit në këtë rast është më i madh se të gjithë çështjet që ka pasur SPAK-u. Me inceneratorët, me sterilizimin. Ky është një dëm shumë i madh pasi është shfrytëzuar toka shqiptare për 20 vite dhe ne nuk kemi asnjë të ardhur në buxhetin e shtetit”, tha Karanxha.
Ish prokurori Karanxha tha gjithashtu se një nga humbjet e para nga kjo kompani janë pagat e larta që punonjësit kanë pasur teksa kapnin vlerën mbi 300 mijë euro në muaj.
“Konstatova që një nga humbjet e para ishin pagat e larta. Hakerat iranianë kanë zbuluar pagat e shumë zyrtarëve të lartë, punonjësit e Bankers kishin pagë mbi 300 mijë euro në muaj. Në zonën e Ballshit dhe në zonën naftë mbajtëse të Fierit, ka njerëz që vuajnë për bukën e gojës dhe nuk kanë përfituar asgjë. Me këto rroga të larta kuptohet që kanë vjedhur paratë e shtetit, se një pjesë e fitimit sipas kontratës duhet t’i kalonte shtetit”, u shpreh ish prokurori.
Karanxha theksoi më tej se kjo është një çështje që duhet t’i kalojë SPAK-ut dhe të verifikohen kushtet e kontratës.
Ai shtoi gjithashtu se për këtë çështje duhet të merret në pyetje ish prokurori Adriatik Llalla se çfarë presionesh ka hasur ai gjatë kohës që ka qenë në krye të prokurorisë lidhur me këtë aferë. Karanxha theksoi ndër të tjera që kjo është një çështje që duhet të zbardhet nga SPAK-u.
“Kjo çështje duhet të kalojë në duar të SPAK-ut, sepse duhet të hetohet qëkur është lidhur kontrata në 2004, janë kushtet e disfavorshme që janë lidhur. Shqiptarët po vdesin për bukë, banorët e zonës po humbin jetën në moshë të re nga sëmundjet e profesionit. Duhet të shihen kushtet e kontratës. Duhet të shihen edhe mirëmbajtjet e puseve të naftës. Duhet të pyetet edhe ish prokurori Adriatik Llalla se çfarë presionesh ka patur. Kjo çështje duhet zbardhur nga SPAK-u. Shteti duhet të ndërhyjë”, theksoi ish prokurori Karanxha.
Lini një Përgjigje