
Investimi i Bashkisë Lushnjë për ndërtimin e dy rrugëve në lagjen “18 Tetori” ka mbetur i papërfunduar, duke shkaktuar pakënaqësi te banorët e zonës.
Në nëntor 2025, në rrugët “Hysni Gorovelli” dhe “Athina Dhimitri” u ndërmorën punime që përfshinë shembjen e mureve rrethuese të oborreve dhe hapjen e kanalizimeve, por ato u ndërprenë më 25 dhjetor. Edhe pse projekti prej 320 milionë lekësh ishte planifikuar të përfundonte brenda pesë muajve, situata aktuale ka lënë pas rrugë të dëmtuara dhe puse të hapura.
Banorët shprehen se lënia e kanalizimeve të hapura ka sjellë erë të rëndë dhe kushte të papërshtatshme jetese në zonë.
Për këtë situatë ka reaguar edhe anëtari i Këshillit Bashkiak Lushnjë, Klement Çela, i cili ka kërkuar nga autoritetet vendore rifillimin e menjëhershëm të punimeve, duke theksuar se investimi po financohet me paratë e qytetarëve.
Nga ana tjetër, kryebashkiakja Eriselda Sefa ka sqaruar se ndërprerja e punimeve ka ardhur për shkak se Ndërmarrja e Ujësjellës-Kanalizimeve për rajonin e Lushnjës ende nuk ka përcaktuar kuotat e shkarkimit të ujërave të zeza për banesat në këtë lagje, çka ka penguar vijimin e projektit.
Lini një Përgjigje