
Studentët e Mjekësisë së Përgjithshme në universitetin publik nuk përjashtojnë mundësinë e rikthimit të protestave dhe ankimimin në gjykata ndërkombëtare të projektligjit që i detyron të punojnë në Shqipëri pas diplomimit.
Kujtojmë se qeveria ndryshoi ligjin pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe reduktoi afatet e punësimit nga 5 në 3 për studentët e vitit të parë, nga 3 në 2 vjet për ata të vitit të dytë deri në të katërt dhe për studentët e vitit të pestë dhe të gjashtë në 1 vit.
Studentët kundërshtojnë këtë draft të ndryshuar nga qeveria dhe thonë se nuk dolën në rrugë për të reduktuar vitet e qëndrimit në atdhe, por filozofinë e ligjit në tërësi.
“Ne tashmë jemi në bisedime e sipër me avokatët tanë dhe jemi drejt përfundimit të një drafti ligjor për ta çuar çështjen dhe në gjykata ndërkombëtare. Çdo përpjekje për të na injoruar në vazhdim do të ketë përgjigje si një vit me parë. Problemi ynë dhe i gjithë studentëve është në princip me këtë ligj, nuk mendojmë se është mënyra e duhur si mund t’i jepet zgjidhje këtij problemi që është hapur”, shprehen studentët
Mjekët e rinj deklarojnë se mbajtja peng e diplomës dhe puna e detyruar nuk është zgjidhje optimale ose ideale për t’i mbajtur në Shqipëri.
“Kur studentët e mjekësisë ishin kaq të rëndësishëm për Shqipërinë, pse ata nuk u trajtuan si të tillë? Në momentin që Gjykata Kushtetues rrëzoi ligjin pse ministritë përkatëse nuk ftuan studentë për takime dhe diskutime për të parë mundësinë si mund ti mbajmë në Shqipëri. Mbajtja peng e diplomës dhe puna e detyruar nuk janë mënyra optimale as ideale për të mbajtur mjekët në Shqipëri. Ka mënyra më tepër optimale si investimi në sektorin arsimor dhe shëndetësor, të cilat nuk lënë vend për punë të detyruar, por vetëm për punë të dëshiruar”, deklarojnë studentët.
“Studentët e mjekësisë nga kjo situatë janë bërë të flenë më një sy hapur dhe jemi gjithmonë gati të mbrojmë atë që është e drejtë dhe atë që është e mirë dhe për Shqipërinë dhe për ne”, shtojnë më tej studentët e mjekësisë.
Lini një Përgjigje